- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Privatizime
Pyetje - përgjigjet e konferencës s e perbashket per shtyp te Ministrit te Financave me shefin e misionit te FMN-se dhe Guvernatorit te BSH -se
Pyetje – Z. Ministër, FMN-ja rekomandoi një shkurtim të buxhetit me 20 miliard lekë. Sa do jenë në fakt shkurtimet që do t’i bëhen buxhetit me ndryshimet e pritshme ?
Përgjigje – Ne kemi filluar punën për rishikimin e buxhetit të viti 2011. Dhe shifrat janë rreth 20 miliardë lekë, për të mbajtur atë objektiv që ne kemi deklaruar për të mos rritur deficitin këtë vit. Kjo do të thotë që vlerësimi i pritshmërisë të të ardhurave të vitit është i përafërt ose i njëjtë me atë që ka projektuar Fondi, Banka dhe atë që kemi programuar edhe ne muajt e mëparshëm.
Pyetje – E kujt është përgjegjësia që bëhen ndryshime në mes të vitit në buxhet ?
Përgjigje – Unë e kam thënë dhe më herët se rishikimet do të jenë të përvitshme dhe praktika të mira e transparente janë ato që rishikohen buxhetet çdo vit, në mes të vitit. Këto rishikime nuk ndodhin këtë vit për herë të parë, ne kemi filluar t’i përdorim që nga buxheti i vitit 2006. kanë qenë disa vite që rishikimet kanë qenë në shtesë dhe në dy vitet e fundit rishikimet janë në drejtim të shkurtimeve. Kjo reflekton jo vetëm programimet optimiste që ka Ministria e Financave, ose me saktë që ka Shqipëria, pasi nuk është ministria ajo që bën të gjitha projektimet, por reflekton edhe një situatë më optimiste, të pritshme me zhvillimet e tregjeve rajonale dhe ndërkombëtare. Buxheti është bazuar në projeksionet e vjeshtës së vitit të kaluar dhe ju e dini shumë mirë si cila ishte në atë kohë pritshmëria për zhvillimet në eurozonë dhe në rajonin tonë, ndërkohë që dihet dhe se si është sot situata, ecuria ekonomike në eurozonë dhe në rajonin tonë. Pra këto korrigjime janë të detyrueshme sepse nuk është vetëm një element, vetëm rritja ekonomike, por janë të gjithë zhvillimet e tjera ekonomike që bëjnë të domosdoshëm hartimin e një programi sa më realist. Sigurisht që ne, sic e prezantova në deklaratën e hapjes, po shkojmë drejt projekteve më konservative. Kjo do të thotë se nuk është aspekti më i mirë, pasi mbajtja e një modeli më optimist apo më entuziast ka dëshmuar që ka dhënë rezultat në Shqipëri, por përballë kushteve të tilla mendoj që një qasje më realiste është e domosdoshme të zbatohet.
Pyetje – Z. Ministër, në deklaratën e FMN-së dëgjuam një rekomandim për rritje të taksave, në një kohë që ju i parapritë se nuk do ketë ndryshime taksash. A do të kemi ndryshim taksash ?
Përgjigje – FMN rekomandon se në një fazë të tillë, kur rregullimet buxhetore janë të pamjaftueshme për të siguruar objektivin e vendosur, mund t’i adresohemi rritjes së taksave dhe kjo nuk përbën ndonjë element që dëmton avantazhet konkurruese të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë. Unë e thashë qartë që ne e konsiderojmë tërësisht të mundshme që të gjithë rregullimet e nevojshme buxhetore të vijnë brenda kuadrit fiskal aktual, pra të mos kemi rritje të taksave. Është e domosdoshme që një sërë taksash, jo ato kryesore, të rishikohen nga pikëpamja e praktikave të lehta për vjeljen e tyre, ç’ka do të krijojnë mundësinë për një administrim më eficent. E kam fjalën për taksa që vilen nga agjentë të tjerë tatimorë dhe jo nga administrata fiskale.
Pyetje – Ka një diferencë mes parashikimeve të FMN –së për rritjen ekonomike nga ato që bën qeveria ? Ku bazohet kjo diferencë duke qenë se shifrat, burimet të cilat ato ju referohen janë të njëjta ?
Përgjigje – Është e vërtetë që ka një diferencë prej 2 herësh. FMN jep një parashikim prej 2. 7 % dhe ne një parashikim prej 5 %. Po në vitin 2009 ka ishte parashikimi i Fondit ? Ishte 0.8 % në një kohë që u arrit një nivel 3.3 %. Pra ndryshon me 4 herë. Në vitin e kaluar programi i FMN-së ishte rreth 2 %, kur rritja shkoi në 4 %. Kjo nuk është çështje konkurrence. Është krejt normale që variantet dhe këndvështrimi i Fondit, sikurse e patë është më konservativi, më pesimisti. Dhe kjo është krejt normale që ne duhet të marrim masat më ekstreme për të garantuar atë stabilitet, që na ka nxjerrë në dritë në këtë periudhë. Vendi kapërceu krizën më të thellë të shekullit të fundit, pa rënë në krizë në një kohë kur ekonomia jonë nuk është shumë e madhe. Kjo ndodhi pikërisht sepse reformat strukturore, masat stabilizuese para krizës ishin të tilla që garantonin një rritje të lartë ekonomike dhe jepnin një impuls shumë të madh për zhvillimin e ekonomisë. Nuk duhet të heqim dorë nga kujdesi ynë, për të krijuar të gjitha kushtet makroekonomike dhe fiskale që synojnë një rritje shumë të lartë ekonomike. Ju e dini shumë mirë që ne dëshironim të arrinim një rritje dyshifrore, sepse morëm masa të tilla për të garantuar gjithë treguesit e brendshëm. Por ekonomia jonë nuk është më e izoluar. Ekonomia jonë ndërvepron dhe globalizmi ka bërë influencën e vet të pa neglizhueshëm nga një ekonomi drejt një ekonomie tjetër dhe ekonomia jonë është një ekonomi e hapur, që vijon të rrisë nivelin e shkëmbimit, blerjeve dhe shitjeve në tregjet rajonale.
Pyetje – A do ketë ndryshim në politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, duke qenë se një nga rekomandimet ishin që të mos ketë ndryshime në këtë sektor ?
Përgjigje – Sado impresionuese që të jenë modelet virtuale, në fund të fundit duhet gjykuar mbi realitetet. Kur bëjmë zgjedhjet ekonomike, bazohemi në një realitet konkret dhe sigurisht që ka hapësira dhe marzhe për të vepruar mbi këtë realitet konkret për të arritur qëllimin. Dhe ne do të veprojmë kështu.