- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Privatizime
Tiranë me 25.01.2011
Ekzistojnë burimet financiare që mundësojnë rritje ekonomike 5.5 % për vitin 2011-01-25
Pyetje : Z. Ministër a do të dilni sërish në tregun financiar gjatë vitit 2011 ?
Përgjigje: Programi ynë financiar, programi ynë fiskal nuk ka të projektuar një dalje të re në tregjet financiare globale dhe kjo lidhet me faktin që ne tashmë kemi kontraktuar një sërë kredish zhvillimore, koncensionale me institucionet financiare ndërkombëtare dhe do të mundësojmë që investimet publike që ka nevojë vendi t’i plotësojmë përmes pikërisht kredive të kësaj natyre, kredi afatgjata mesatarisht 20 vjeçare, me norma tepër të ulëta interesi dhe që kanë një periudhë 4-5 vjeçare të mospagimit as të interesave dhe as të principalit të kredive, që përbën një instrument shumë të privilegjuar për të financuar ekonominë shqiptare
Pyetje : Sa është parashikuar rritja ekonomike për vitin 2011 ?
Përgjigje: Për vitin 2011 ne kemi programuar një rritje prej 5.5 % të PBB-së dhe në programimin që kemi bërë kemi besim në ekzistencën e të gjitha mundësive financiare dhe kapitaleve që disponon ekonomia shqiptare. Pra burimet e financimit të një rritje prej 5.5 % ekzistojnë, janë tërësisht të mundshme. Edhe kur programuam vitin e kaluar rritjen prej 4.1 % të ekonomisë shumë vetë ishin skeptikë a do ishte 1 %, 2 % apo 0 % rritja ekonomike e vendit. Ne kemi patur besim sepse llogarisim pikërisht burimet e financimit të rritjes dhe këto burime ekzistojnë. Duhen disa kushte të tjera për të realizuar këto burime dhe ne në fakt në vitin 2010 mundësuam materializimin e të gjitha burimeve të financimit të një rritje prej 4.1 % dhe jam i bindur që rritja do të jetë të paktën 4.1 % me atë trend që ka shfaqur ekonomia përgjatë vitit 2010 dhe tremujorit të fundit. Edhe në vitin 2011 do jetë tërësisht i mundur realizimi i objektivit.
Pyetje : Si e shpjegoni mosrealizimin e të ardhurave prej 8 miliard lekësh të TVSH ?
Përgjigje: Tatimi nga TVSH –ja nuk është realizuar në krahasim me planin me rreth 8 miliard lekë. Por kemi rritje me 3.6 % në krahasim me një vit më parë ose 3-4 miliard lekë të kësaj takse. Ndërkohë ju thashë se kemi rimbursuar 10 miliard lekë. Nëse do të rimbursonim 2. 5 miliard lekë, sa ishin vitin e kaluar do të kishim një rritje prej 10 – 11 % të të ardhurave nga kjo taksë. Pra në raport me TVSH –në ka patur një qëndrim të ri, një politikë e kthyer tashmë edhe në ligj që në mënyrë automatike të gjitha pretendimet e bizneseve që nuk mund të kundërshtohen me fakte nga administrata tatimore të rimbursohen automatikisht dhe nëse nuk rimbursohen shndërrohen automatikisht në pagesë të taksave të tjera. Kjo ka bërë që niveli i rimbursimeve për vitin 2010 të jetë në nivele kaq të larta, 10 miliard lekë ose 10 % e TVSH-së.
Pyetje : A ka ndikuar mungesa e kasave në këtë mosrealizim ?
Përgjigje: Vendosja e kasave fiskale do të ndikojë në rritjen e të ardhurave dhe sigurisht që përbën një masë shumë pozitive jo vetëm për të rritur të ardhurat por edhe për të forcuar konkurencën e drejtë të bizneseve në treg. Ritmi i vendosjes së pajisjeve fiskale ka arritur tashmë në 30 mijë biznese, numri i atyre që duhet te vendosin kasa është më i lartë. Sigurisht që janë bizneset e vogla që nga data 1 janar duhet të kenë vendosur kasat. Administrata tatimore do të vijojë të zbatojë ligjin në zbatimin e kësaj mase aq të domosdoshme për konkurencën në treg në radhë të parë dhe jo aq shumë për të ardhurat pasi dihet që biznesi i vogël jep deri në 4 % të të ardhurave
Pyetje : A ka një projekt përfundimtar për ndërhyrjet e paralajmëruara në taksat për sistemin bankar dhe telefoninë celulare dhe sa do të jetë efekti ?
Përgjigje: Kur ta prezantojmë do t’i themi edhe efektet dhe mënyrat e ndërhyrjes. Ne jemi duke studiuar me kujdes atë që ka ndodhur në vende të tjera dhe që kanë synuar jo thjesht rritjen e të ardhurave të buxhetit, por do të jenë masa që do të synojnë një ndërhyrje për të rregulluar çmime apo tarifa që vendosen në mënyrë jo fort transparente apo që vendosen qoftë edhe nga autoritete shtetërore. Ka eksperienca të vendeve të tjera dhe nuk do të bëjmë asnjë mase apo taksë që mund të jetë shpikje e jona, apo që të ketë tendencë të personalizuar ndaj një biznesi të caktuar.
Pyetje : A po devijoni nga taksa e sheshtë dhe a keni planifikuar ndërhyrje të tjera në taksa përgjatë vitit në vijim ?
Përgjigje: Aspak. Aspak. Sigurisht që nuk janë tabu taksat dhe rishikimi i sistemit fiskal duhet të ketë dinamikën që ka ekonomia për të adresuar dhe për të zgjidhur problemet. Jo për të rritur taksat por për të zgjidhur problemet që lindin në segmente të caktuara të ekonomisë dhe për të tilla gjëra mund të ndërhyjmë, por nuk kemi ndonjë programim të veçantë me përjashtim të asaj që është njoftuar tashmë, akcizat. Kjo synon ndryshimin e administrimit të saj në përputhje tërësisht me standardet europiane, për ta kaluar tek administrata doganore tërësisht si taksë sipas eksperiencës së vendeve të tjera. Ndërsa do ketë dhe rregullime të vogla që nuk kanë të bëjnë me rritje të barrës fiskale, përkundrazi ka kërkesa për të parë taksën doganore për veshjet për shkak të hapjes, liberalizimit të vizave, njerëzit shkojnë më lehtë në Europë dhe vishen jashtë. Ne do të përpiqemi që barriera fiskale të mos jetë elementi i përzgjedhjes që bëjnë qytetarët për të blerë diku pa taksë dhe për ta sjellë në Shqipëri. Pra janë rregullime të domosdoshme që ka nevojë ekonomia dhe segmente të caktuara të tregut.