- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Komunikime
Pyetje: Z. Bode, Banka Botërore prezantoi një raport ku përfshihej dhe Shqipëria, çfarë do të thotë ky raport, cilat qenë vlerësimet dhe anët negative të tij?
Unë mendoj që raporti i fundit i Bankës Botërore “Për rritjen e artë”, që përmbledh një studim të thelluar të ekspertëve më të lartë të kësaj banke, në fushën e ekonomisë dhe të financave për hapësirën europiane, ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për vendet anëtare të BE-së, por për të gjitha vendet në proces integrimi, kandidat apo aspirant, si dhe për gjithë ekonomitë e vendeve të kësaj zone.
Rëndësia mendon që konsiston në faktin që ky raport- analizë, nisur nga zhvillimet e fundit në krizën globale synon të arrijë në një analizë të detajuar, rreth fakteve dhe faktorëve që bënë që kjo zonë e ekonomisë globale, Evropa, të përjetojë në mënyrën më dramatike krizën dhe efektet e saj dhe, nga ana tjetër, për të parë cila është perspektiva që ky rajon ekonomik ka në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Pra, në këto dy këndvështrime, mendoj që rëndësia është jo vetëm për vendet anëtare, por edhe për vendet kandidate apo periferike, vendet që kanë raporte ekonomike intensive me Evropën.
Shqipëria është njëri prej këtyre vendeve, e cila jo vetëm aspiron të jetë anëtare e BE-së dhe është angazhuar në një proces të tillë integrimi, por edhe pse raportet ekonomike, intensiteti i raporteve ekonomike është kryesisht me BE-në. Qoftë përmes tregtisë të importeve dhe eksporteve, qoftë dhe të investimeve direkte në Shqipëri, vendin e parë sigurisht e zënë vendet e BE-së me më shumë se ¾ e shkëmbimeve ekonomike tregtare dhe të investimeve, çka do të thotë që interesi ynë për perspektivën e kësaj zone mbetet shumë i atashuar.
Ajo që është më ë rëndësishme në të gjithë këtë analizë, përveçse analizave të detajuara, janë konkluzionet. Së pari, ato që lidhen me faktin që çfarë ka ndodhur në këto vite; dhe ku është pozicionuar në progresin e 10-vjeçarit të fundit ekonomia e Shqipërisë. Siç i dëgjuat, dhe konkluzionet janë disa aspekte që dëshmojnë se ekonomia shqiptare ka pasur një politikë ekonomike fiskale adekuate, që ka mundësuar rritjen më të madhe, është një nga 3 ekonomitë që ka arritur rritjen më të madhe në hapësirën evropiane në 10 vitet e fundit. Dhe, së dyti, është vendi që ka pasur rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë të popullsisë, që Shqipëria si asnjë vend tjetër në Evropë dhe nga vendet e rralla në Botë, mundësoi që në një hark të tillë kohor të kalojë nga një vend me të ardhura tepër të ulëta në një vend me të ardhura mesatare. Dhe gjatë kësaj periudhe me të ardhura mesatare ka një dinamikë të vetën tërësisht pozitive. Kjo përben konstatimin e parë të analizës së këtij raporti dhe inkurajimin më të madh që bën jo vetëm për aktorët politikë në Shqipëri, por për të gjithë aktorët ekonomikë, për të gjithë komunitetin e biznesit, për të gjithë shoqërinë, për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Së dyti, është edhe pozicionimi i politikave të ndërmarra në Shqipëri në raport me atë që duhet të ndërmarrin qendrat politik bërëse në hapësirën evropiane, dhe janë disa aspekte. E ardhmja e kësaj zone do të jetë pozitive dhe e ndritur, për aq kohë sa politikat ekonomike do të vendosin në fokus biznesin. Në dy drejtime, në dy dimensione politike të taksave të ulëta, gjë që nuk është e lehtë për t’u bërë nga vende të tjera evropiane, por është e mundur që, nëpërmjet rishikimit të dimensioneve të politikave të tyre sociale, të mund të krijojnë hapësira më të mira për biznesin. Shqipëria këtë gjë e ka bërë, është vendi që ka barrën më të ulët të taksave, është vendi me liritë ekonomike më të zhvilluara dhe, së dyti, ka të bëjë me progresin në të bërit biznes.
Pra, interesi që jo vetëm ata që operojnë në këtë treg, por edhe investitorë të rinj të mund të aksesojnë në ekonominë tonë, dhe një tregues pozitiv është edhe progresi që ka bërë Shqipëria në raportin e BB, “Doing business”, janë inkurajuese, përmes uljes së burokracive, barrierave administrative për të hyrë dhe për të dalë nga tregu dhe kostos për të operuar në këtë treg, njëkohësisht për të shkurtuar numrin e licencave, patentave dhe lejeve që jepen nga administrata.
Gjithë kjo reformë rregulluese që ne kemi ndërmarrë 4-5 vitet e fundit, ka krijuar këtë hapësirë që ne të rankojmë pozitivisht, edhe pse në rajon qeveritë e tjera janë tepër kompetitive në këtë tregues dhe ato janë përfshirë në reforma jashtëzakonisht të thella të përmirësimit të kushteve për biznesin. Kjo do të thotë që në perspektivë, ne, qeveria, politikëbërësit në qeveri, duhet të synojnë përmirësimin e të dy këtyre elementeve: ruajtjen e taksave të ulëta të drejtpërdrejta dhe një burokraci të lehtësuar, pra një qëndrim liberal ndaj biznesit, uljen e numrit të licencave, patentave dhe kostove që lidhen me to.
Këto elemente përbëjnë pjesën më të dukshme dhe na inkurajon e konfirmon politikën e drejtë të zhvilluar vitet e fundit pikërisht në këto aspekte që unë përmenda pak më lart dhe që u konfirmuan dhe nga ekspertët më të lartë të Bankës Botërore në prezantimin e raportit të tyre në Shqipëri.
Z. Ministër, në prezantimin e raportit të BB, ju artikuluat dhe domosdoshmërinë e reformës së pensioneve, ju për çfarë opsioni jeni? Për rritjen e moshës së pensionit? Për të barazuar moshën e daljes së femrave dhe meshkujve, apo forcim të skemës private?
Sikurse e dëgjuat edhe në konkluzionet e raportit të BB, nuk është prioritare se cilat janë përmasat sociale të një politike fiskale, e rëndësishme është eficienca e përdorimit të këtyre fondeve. Ne kemi deklaruar që është e domosdoshme një reformë pensionesh, sepse në jemi të bindur që kjo reformë duhet të jetë nxitëse për pjesëmarrësit në këtë skemë dhe duhet të jetë dinjitoze për përfituesit e kësaj skeme. Pra, një reformë pensionesh që synon të rrisë substancialisht përfitimet e pjesëmarrësve dhe kontribuesve të skemës. Skema e pensioneve nuk është një skemë e qeverisë, është skemë e qytetarëve që kontribuojnë në mënyrë të përditshme për të krijuar një fond të sigurt dhe për ta pasur në shërbimin e tyre, në momentet kur ata nuk do jenë më të aftë për punë.
Pra, nuk është një diskutim kaq i thjeshtë, jeni për rritjen apo për zvogëlimin e moshës së pensionit?
Edhe duke ulur moshën e pensionit ne mund të ndërtojmë një skemë më eficiente në raport me pjesëmarrësit në skemë. Këtu është e nevojshme të ndërmerren një sërë masash, që lidhen me masën e kontributit, që lidhet me numrin e pjesëmarrësve në skemë, që lidhen me luftën ndaj informalitetit të të punësuarve në treg etj. etj. Nga ana tjetër, kjo skemë e pensioneve apo skemat sociale në tërësi janë të lidhura me një fenomen tjetër, që ka të bëjë me nevojën që ka hapësira evropiane për të dinamizuar fuqinë punëtore. Në kuptimin e lëvizshmërisë, çka nuk është një problem tipik shqiptar, por është i gjithë hapësirës europiane. Pra, lëvizja e lirë e qytetarëve për të siguruar punësimin pa pengesat që ka aktualisht Evropa, përbën një mundësi për të vlerësuar, për t’i dhënë vlerë fuqisë punëtore, si një nga elementet kryesore të zhvillimit ekonomik të hapësirës evropiane dhe, së dyti, për të rritur numrin e kontribuesve pjesëmarrës me punën e tyre në ekonomi. Perspektiva evropiane tregon që e ardhmja do të jetë pakësim absolut i përvitshëm i numrit të të punësuarve, çka nënkupton që Europa do të shkojë drejt rritjes së moshës së pensionit, jo vetëm për të ulur koston sociale, por për të mundësuar që ekonomia të mbështetet në fuqinë punëtore të kërkuar për t’u rritur në mënyrë normale.
Ajo që ne diskutojmë në Shqipëri, është pikërisht që ta bëjmë më eficient përdorimin e kësaj kostoje sociale, të kësaj fature. Në Shqipëri janë ngritur në mënyrë qenësore fondet për këto skema pensionale. Ju e dini që 5-6 vite të shkuara shuma totale që paguhej nga buxheti, bashkë me kontributin por edhe pjesa që jep buxheti drejtpërdrejt, ishte 54 miliardë lekë dhe vitin e kaluar ka shkuar mbi 134 miliardë lekë? Pra, kemi një rritje në një afat të shkurtër shumë të madh, por që reforma pensionale duhet të synojë pikërisht rritjen e eficiencës të përdorimit të këtyre fondeve. Pra, përdorimin e tyre për qëllimin e përcaktuar, që përfituesit dhe ata që janë në nevojë, në moshë të papërshtatshme për të punuar, të mund të marrin para në mënyrë të mjaftueshme për të jetuar në mënyrë normale, në të kundërt skema do të ngelet thjesht një skemë asistencialiste, sikurse në pjesën më të madhe dëshmohet që është aktualisht.
Z. Bode, vendet e eurozonës vazhdojnë të jenë të goditura nga kriza e borxheve dhe Shqipëria marrëdhëniet ekonomike i ka kryesisht me këto vende, sa është pasqyruar kjo në Shqipëri?
Unë e kam theksuar edhe herë tjetër, nëse i referohesh nivelit të borxhit publik të Shqipërisë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ekonomitë e reja të rajonit që dolën pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, por edhe të vendeve të tjera ballkanike që dolën nga sistemi i mëparshëm, ajo ka një nivel më të lartë borxhi. Në rast se futesh në analizën e borxhit, gjë që e bënë edhe ekspertët e Bankës Botërore, shikojmë që Shqipëria ka një borxh të sigurt dhe jo problematik. Kjo kushtëzohet me faktin që gjithë borxhi shqiptar në masën 97% të tij është borxh me risk të vogël në treg dhe vetëm 3-45 e këtij borxhi është me risk, pra pjesë e presionit të krizës globale dhe të krizës që ka Evropa. Ne shërbejmë borxhin ose përmes bonove të thesarit në tregun tonë të brendshëm në lek, ose nëpërmjet bankave të zhvillimit. Borxh i cili është me afat të gjatë shlyerjeje dhe me norma të ulëta interesi, në këtë kuptim dhe kostoja e borxhit tonë është me e ulët, krahasuar me vendet e tjera që kanë borxh të krahasueshëm me ne apo me vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, nuk do të thotë që Shqipëria të mos bëjë kujdesin e borxheve. Ndaj borxhit publik ne kemi shprehur qëndrimin që duhet të bëjmë uljen e tij në mënyrë graduale perspektive, në mënyrë që t’i krijojmë hapësira më të mëdha ekonomisë reale, pra bizneseve, që të përfitojnë nga kursimet e qytetarëve dhe investimi më mirë, më afatgjatë, më eficient për vendin, është kur kursimet e qytetarëve përdorën nga biznesi, jo nga qeveritë. Vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore, ne tërësi kanë dëshmuar në këtë periudhë një borxh shumë të lartë, problematikat që janë përmendur dhe janë vende me të cilat ne kemi lidhje ekonomike dhe tregtare. Impaktimi i tyre në marrëdhëniet tona ekonomike kushtëzohet nga performanca ekonomike që kanë këto vende. Unë mendoj që kjo nuk do të thotë automatikisht një presion negativ për perspektivën e ekonomisë shqiptare, përkundrazi, në kushtet në të cilat ndodhemi ne, do të jetë më përfituesi ai që do të reagojë më shpejt me reformat e duhura dhe që vënë në fokus biznesin dhe do të jenë më të kushtueshëm dhe më të ngadalshëm të gjitha ato vende që do të kalojnë kohë të gjatë për t’u marrë me rregullimin e disbalancave që ka krijuar borxhi publik i tyre.