mof_logo_al_p2_copy_1

Ministria e Financave mundësoi dyfishimin e sasisë së taksuar të karburanteve dhe katërfishimin të ardhurave me masat fiskale në tregun e brendshëm të karburanteve

Ministria e Financave hedh poshtë sajesat e shëmtuara që deputetë të Partisë Socialiste vijojnë të bëjnë me refrenin e ri të akuzave për naftën Virgin.
Ministria e Financave thekson se ka qenë pikërisht ky institucion që i ka vënë fre avazit të nisur gjatë kohës kur socialistët ishin në pushtet dhe kur kontrabanda e naftës, jo vetëm asaj Virgin, ka njohur lulëzimin e saj. Këtë e tregojnë qartë dhe shifrat zyrtare sipas të cilave :
Nga rreth 210 mijë tonë karburante që taksoheshin në vit në kohën e qeverisjes socialiste, në vitin 2010 sasia e karburanteve të taksuara është dyfishuar duke shkuar në rreth 480 mijë tonë në vit. Veç kësaj edhe të ardhurat nga taksimi i karburanteve janë katërfishuar. Një tjetër element që ka sjellë këto rezultate është vendosja e rregullave në tregun e brendshëm të karburanteve ku nafta Virgin, që është tregtuar lirshëm gjatë qeverisjes socialiste, tashmë është vendosur nën kontrollin e administratës fiskale. Kjo dëshmon që nafta Virgin që ishte pa taksa tashmë nuk tregtohet më si në kohën e socialistëve.
Gjithashtu për vendosjen nën kontroll të këtij evazioni fiskal, Qeveria dhe Ministria e Financave kanë marrë një sërë masash :
1) Që në vitin 2008 Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur hetimet e produktit Virgin. Këto hetime janë vendosur në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme, mbi bazën e të cilave ky organ ka ngritur akuzat këto ditë në gjykatë. Ndërkohë që administrata tatimore ka bllokuar në treg një sasi prej rreth 18 mijë ton naftë Virgin, që nga shkurti i vitit 2009. Dhe që nga kjo periudhë nuk ka patur më tregtim të naftës Virgin në tregun shqiptar.
2) Është vendosur akcizë prej 50 lekë për litër nga 0 lekë që ka qenë në kohën e socialistëve. Kjo do të thotë një akcizë 25 % më e lartë nga nafta e konsumit të zakonshëm.
3)U ndalua tregtimi dhe përdorimi i naftës D2 , nën të cilën maskohej tregtimi i naftës Virgin.
4) U vendosën pajisjet elektronike fiskale për raportimin e shitjeve me pakicë të karburanteve. Kjo bëri të mundur gati dyfishimin e shitjeve të raportuara e të taksuara.
5) U automatizua rafineria e Ballshit nga ana e mbikëqyrjes fiskale me kamera online dhe raportim në kohë reale të hyrje – daljeve në këtë pikë.
6) Ministria e Financave po punon për të koncensionuar ngjyrosjen e karburanteve, për të mos lejuar kështu përzierjen e tyre.
Të gjitha këto masa të ndërmarra kanë çuar në rezultatet e sipërpërmendura në tregun dhe industrinë e karburanteve, ku të ardhurat janë katërfishuar dhe sasia e taksuar është dyfishuar.
Reagimi i deputetëve socialistë është një protestë e dëshpëruar e tyre për të mbrojtur me çdo kusht parajsën e evazionit fiskal dhe të kontrabandës në tregun e naftës të cilën e kanë përdorur për një kohë të gjatë. Ato janë zërat në dukje të të gjithë interesave mafioze që fshihen mbrapa tyre.

TE GJITHA TE DREJTAT E REZERVUARA © 2010 MINISTRIA E FINANCAVE
Kjo faqe hostohet nga Agjensia Kombetare e Shoqerise se Informacionit logo_akshi_transparent www.akshi.gov.al