- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Komunikime
Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosën sot marrëveshjen për kredinë e financimit shtesë të Programit për Komunitetin e Energjisë së Evropës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë, në shumën 21.6 milionë dollarë. Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode, për Korporatën Energjetike Shqiptare nga drejtori i saj z. Ëngjëll Zeqo dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri znj. Kseniya Lvovsky. Ceremonia u mbajt në Ministrinë e Financave në praninë e zyrtarëve të tjerë të lartë si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 20 dhjetor 2011.
Financimi shtesë do të plotësojë kredinë origjinale të IDA-s prej 35.3 milionë USD për të mbështetur qeverinë në sigurimin e hidrocentraleve më të mëdha të vendit mbi kaskadën e Drinit. Ai gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji për tregun rajonal të energjisë.
Huaja shtesë do të mbështesë plotësimin e dy aktiviteteve kryesore:
• Rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut i Dejës); dhe
• Rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektro-mekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit.
“Ky financim shtesë do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të projektit origjinal, duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurimin e hidrocentraleve kryesorë të Shqipëri dhe duke ndihmuar në parandalimin e një fatkeqësie të mundshme nga një prishje e digës,” tha Kseniya Lvovski, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.
Programi APL i Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë është pjesë e një programi më të madh për sigurinë e digave, i financuar paralelisht nga donatorë të tjerë si SECO-Zvicër, KfW Gjermani, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Shqipërisë.