- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Komunikime
Viti 2010 do të shënojë rritjen ekonomike 4.1 %, duke mbetur ekonomia me rritjen më të lartë në rajonin tonë.
Jam sot këtu para jush për të njoftuar rezultatet e vitit 2010 në fushën e ekonomisë dhe financave të vendit. Ajo që duhet theksuar është fakti që ekonomia shqiptare gjatë vitit 2010, mbeti ekonomia jo vetëm më pak e influencuar nga presionet e krizës globale, por njëkohësisht edhe ekonomia më dinamike në rajonin tonë dhe në hapsirën europiane në fazën fillimit të rritjes dhe të rimarjes së zhvillimit ekonomik. Sipas raportit më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme Financave dhe Ekonomisë në Komisionin Europian, të publikuar në janar të vitit 2011 “Ekonomia shqiptare demonstroi se mbeti tërësisht e paprekur nga presionet e krizës globale dhe me një trend tërësisht pozitiv përgjatë vitit 2010.”
Nisur nga zhvillimet në ekonominë reale mund të themi se viti 2010 ka demonstruar nga një rritje ekonomike e cila është karakterizuar nga dy tendenca : Së pari nga një rritje pozitive e lartë; dhe së dyti që është dhe më e rëndësishme nga një rritje e qëndrueshme dhe me përmirësim nga tremujori në tremujor. Kështu, në tremujorin e parë të vitit 2010 rritja ekonomike ishte 2.5 % mbi bazë vjetore; në tremujorin e dytë 3.3 %; në tremujorin e tretë 4.9 % duke shënuar si 9 mujor një rritje ekonomike prej 3.6 % të PBB-së dhe duke mbetur në këtë mënyrë ekonomia me rritjen më të lartë në rajonin tonë. Zhvillimet edhe në tremujorin e katërt garantojnë objektivin e shpallur nga qeveria dhe që e kemi deklaruar për një rritje ekonomike të paktën 4.1 % në krahasim me vitin 2009.
Këtë rritje e kanë mbështetur në radhë të parë eksportet, në të cilat ekonomia shqiptare ka demonstruar një fuqi në raport me vendet e tjera të rajonit. Si 9 mujor eksportet ishin 59 % më të larta se një vit më parë, ndërkohë që si 6 mujor ishin 73 % më të larta. Pra mbetemi ekonomia me trendin më të mirë të eksporteve.
Importet kanë pasur rritje më të moderuar rreth 19 % në krahasim me një vit më parë dhe kjo bën që bilanci tregtar të jetë më i përmirësuar. Pra përballë rritjes së eksporteve dhe një rritje shumë të moderuar të importeve, bilanci tregtar i ekonomisë së vendit ka përmirësuar një përmirësim pozitiv në raport me PBB-në.
Në të njëjtën linjë ka ecur edhe bilanci i pagesave, i cili në tremujorin e tretë pati një përmirësim prej 53 milion euro, suficit dhe si 9 mujor një suficit prej 50 milion euro, duke përmirësuar ndjeshëm situatën e vitit të kaluar në bilancin e pagesave të vendit.
Kursi i këmbimit ka qenë stabël. Kësaj i ka kontribuar veç rritjes ekonomike edhe masat e marra në sferën financiare. Një kredi përmes eurobondit, e marrë nga qeveria si dhe zhvillime të tjera të ekonomisë eksportuese dhe të turizmit, mundësuan që kursi i këmbimit të mbetet i stabilizuar përgjatë vitit 2010 dhe përbën elementin më mbrojtës përballë presioneve të inflacionit që vijnë nga kriza ekonomike globale dhe që janë shfaqur në një sërë ekonomish jashtë eurozonës.
Inflacioni, i lidhur ngushtë me të ka qenë tërësisht brenda objektivave të vendosura nga Banka e Shqipërisë me një rritje prej 3.6 % si bazë vjetore në krahasim me vitin 2009, ndërkohë që norma e inflacionit për tremujorin e katërt ka qenë rreth 3.1 % dhe dëshmon për një ulje të presioneve inflacioniste edhe në vijim.
Sektori financiar ka pasur gjithashtu zhvillime tepër pozitive. Rikthimi i besimit të qytetarëve tek sistemi financiar ka bërë që depozitat përgjatë vitit 2010, për 11 mujorin të jenë 17.4 % më të larta në krahasim me vitin 2009 ( 12 mujori nuk është raportuar ende) . Kjo ka mundësuar kështu një kapacitet më të mirë për të financuar rritjen ekonomike dhe për të rritur kreditë në adresë të ekonomisë reale dhe bizneseve private. Niveli i kredisë, i lidhur ngushtë me të dhe përtej masave të sigurisë dhe kujdesit që bën sistemi bankar, ka qenë 9. 12 % më të larta kreditimet për 11 mujorin në krahasim me vitin 2009, duke arritur në këtë mënyrë edhe nivelin më të lartë të kreditimit të ekonomisë reale në Shqipëri. Ajo që mbetet për t’u theksuar është fakti se është rritur në mënyrë më të ndjeshme, gjë që flet për një pozitivitet dhe perspektivë zhvilluese për vitin 2011 e në vijim, kredia për korporatat jo të sistemit financiar e cila është rritur me 19 . 2 % në krahasim me vitin 2009 ndërkohë që kredia për individët, për konsumatorët ka patur një rritje tepër të moderuar prej 4.5 % që lidhet dhe me kujdesin që bën sistemi bankar për këto kredi.
Normat e interesit kanë qenë tërësisht të stabilizuara dhe në rënie të vazhdueshme nga tremujori në tremujor. Kjo ka mundësuar rritjen e kapaciteteve për të kredituar më mirë sistemin e ekonomisë reale. Kjo bazohet në dy aspekte : së pari në rritjen e likuiditetit në sistem dhe së dyti në uljen e kërkesës të qeverisë për të qenë aktori kryesor i tërheqjes së kursimeve përmes bonove të thesarit.
Tregu i punës ka njohur zhvillime tërësisht pozitive. Nga 13.83 që ishte niveli i papunësisë në fillim të vitit, ka zbritur në 13.5 % në fund të tremujorit të tretë, me një tendencë për të rënë në vijimësi edhe për tremujorin e katërt si dhe për vitin në vijim.
Në zhvillime të ngushta me ekonominë e vendit edhe financat publike dhe buxheti i shtetit kanë njohur një zhvillim tërësisht pozitiv. Mund të deklarojmë mbylljen me sukses të plotë të të gjithë objektivave të vendosura në buxhetin e shtetit për vitin 2010, përmes buxhetit të rishikuar në korrik të vitit që lamë pas dhe ky sukses ka kontribuar më tej në fuqizimin e themeleve të qëndrueshmërisë ekonomike për vitin 2011 dhe në perspektivë.
Të ardhurat buxhetore arritën në nivelin e 324 miliard lekë ose sa 97.4 % e programit të miratuar në buxhetin e muajit korrik 2010, duke realizuar 26 miliard lekë më shumë 9 % më shumë të ardhura krahasuar me vitin 2009. Kjo flet për një trend tërësisht pozitiv dhe me ritme normale që ekonomia shqiptare ka pasur në vitet kur ka patur një rritje 5 dhe 6 % në vitet e shkuara. Ajo që ka dhënë trendin kryesor në këtë zhvillim ka qenë administrata doganore e cila ka pasur një rritje të nivelit me 13.4 % krahasuar me vitin 2009. Të ardhurat e buxhetit qendror janë realizuar sa 99 % e programit. Vlen të theksohet fakti se të gjitha llojet e taksave janë në rritje në krahasim me një vit më parë. Sigurisht që në krahasim me objektivat e vendosura nuk janë të gjitha të realizuara, por fakti që si administratë qendrore realizoi 99 % të ardhurave dëshmon për një performancë pozitive të administratës fiskale dhe të ekonomisë që kontribuon me taksa në buxhetin e shtetit.
Buxheti i pushtetit vendor ka patur një performancë më negative, me një realizim prej 77 % të programit ose 2 % më pak se viti 2009. Kjo evidenton edhe shqetësimin që kemi ngritur si administratë qendrore për një performancë jo rtë mjaftueshme nga buxhetet vendore në nxjerrjen e taksave dhe administrimin e tyre.
Vlen të theksohet fakti se për vitin 2010 nga administrata qendrore fiskale janë rimbursuar në adresë të bizneseve 9.7 miliard lekë si formë e TVSH-së që lidhet me vëllimin e rritur të eksporteve por njëkohësisht dhe me vëllimin e investimeve në proces gjatë vitit. Kjo rritje është rreth 3 herë më e lartë nga rimbursimi në vitin 2009 dhe shumë herë më e madhe nëse marrim mesataren disavjecare. Pra kemi të bëjmë me një qëndrim më aktiv të administratës qendrore fiskale në raport me lehtësimin e ambientit për biznesin dhe moskrijimin e problemeve financiare për biznesin që lidhen raportet e pagimit të taksave. Pra rreth 10 miliard lekë ose rreth 100 milionë USD rimbursim për vitin 2010 kanë qenë një ndihmë për të aktivizuar bizneset të cilat kanë pasur probleme dhe vështirësi financiare.
Realizimi i të ardhurave dëshmon se objektivat e vendosura në muajin korrik kanë qenë tërësisht realiste dhe nuk u vërtetua asnjë nga hipotezat e opozitës se : janë optimiste, nuk do të realizohen dhe se do të çojnë në thellimin e mëtejshëm të deficitit , në kufizimin e mëtejshëm të shpenzimeve apo rritjen e borxhit publik.
Shpenzimet kane qenë në përputhje me objektivat e vendosura. U respektuan tërësisht objektivat që u vendosën në muajin korrik përmes buxhetit të rishikuar. Në tërësi shpenzimet arritën në 362 miliard lekë ose 97. 2 % e programit të miratuar, pra kemi një performancë pozitive në realizimin e shpenzimeve të buxheteve në tërësi. Ato janë 5 % më të ulëta në krahasim me një vit më parë ndërkohë që pushteti vendor ka realizuar 8.4 më pak shpenzime se viti 2009 dhe që kushtëzohen nga rënia apo nga mosarkëtimi i të ardhurave të tyre, pasi të gjithë transferuat e programuara nga qeverisja qendrore në adresë të pushtetit vendor në buxhetin fillestar dhe jo në atë të rishikuar janë realizuar, pra janë akorduar të gjitha fondet.
Duhet theksuar që në vitin 2010 ka dominuar administrimi dhe angazhimi i qeverisë i deklaruar në muajin janar për prosperitet fiskal, për të vënë në kontroll shpenzimet dhe për të minimizuar rrisqet që vijnë nga shpenzimet e rritura të buxhetit, u bë realitet përgjatë viti 2010, siç thashë duke ulur dhe kufizuar një sërë shpenzimesh në krahasim me vitin 2009 dhe duke respektuar tërësisht objektivat dhe tavanet e vendosura në muajin korrik. Zhvillimi pozitiv në këtë administrim, krijoi mundësinë që në muajin dhjetor qeveria të hartojë një akt normativ, i cili çoi në rritjen e shpenzimeve për investime në infrastrukturë në adresë të MPPPT për 5 miliard lekë pa shkaktuar një rritje të deficitit të vitit apo cenim të borxhit publik të vendit.
Deficiti buxhetor është 1.5 miliard lekë më i ulët në krahasim me atë që ne parashikuam në korrik, pra nuk u tejkalua siç deklaroi dhe paralajmëroi opozita në kuvend se deficiti do të rritet, se borxhi publik do të rritet, se qeveria është jorealiste në programin e saj, përkundrazi është siç e thashë 1.5 miliard lekë më i ulët se parashikimi dhe zbret nën 3. 3 % të PBB-së nga 7 % që ishte vitin e kaluar ose nga 4.5 % që ishte deficiti që vinte për shkak të huamarrjes për vitin 2009. pra një përgjysmim, një ulje me 50 % e huamarrjes për vitin 2010 flet për performancën pozitive si në nxjerrjen e taksave ashtu dhe në administrimin e shpenzimeve publike dhe në politikën e deklaruar për qëndrueshmëri fiskale nga ana e qeverisë që në janar 2010.
Borxhi publik për këtë shkak vijoji të ulet duke përbërë një rast të veçantë në rajon, që ulëm borxhin publik edhe në vitin 2010 duke mbajtur një normë të lartë të investimeve publike si investime të pushtetit qendror prej 5.5 % të PBB-së ndërkohe që në rajon lëviz nga 0 - 1 % vëllimi i investimeve që kryhet prej tyre dhe kemi një rritje po ashtu të borxhit publik përgjatë vitit 2010në mesataren e vendeve të rajonit sipas analizës që bën Drejtoria e Përgjithshme Financave dhe Ekonomisë në Komisionin Europian. Borxhi publik vijoi të ulet dhe kjo ulje do të ishte edhe më e madhe nëse Pushteti Vendor nuk do të përdorte të drejtën për të konsumuar nga të ardhurat e trashëguara dhe të 5 miliard lekëve të tjera. Pra do të kishim një deficit vjetor prej 2.5 % të PBB-së një vëllim të borxhit me 5 miliard lekë më të ulët, që do të ulte me 0.5 % të PBB-së nëse përgjatë vitit 2010 Pushteti Vendor nuk do të kishte shpenzuar 5 miliardë lekë më shumë nga sa janë mbledhur të ardhura dhe nga sa janë transferuar nga buxheti qendror duke përdorur, të drejtën e ligjshme, të transferimit të fondeve nga një vit në tjetrin. Kjo bën të domosdoshme që si nivel qendror të mund të programojmë edhe përdorime të tilla për të mos u ndodhur para të papriturave sepse mund të ishim vërtetë në një tejkalim të deficitit pikërisht për shkak të një të drejte legjitime që ka pushteti vendor.
Viti 2001 sigurisht përbën një vit të ngarkuar me objektiva, me shpresë dhe besim të plotë se trendi i programuar në buxhetin e këtij viti do të jetë tërësisht i mundur. Pa u ndalur në detaje të objektivave që kanë të bëjnë si me administrimin në tërësi të buxhetit të shtetit me rritjen e të ardhurave, me përmirësimin e administrimit të sistemit fiskal dhe modernizimin e tij, me mbështetjen e prioriteteve dhe programeve të deklaruara nga ana e qeverisë, me rritjen e pagave dhe të pensioneve siç bëmë në vitin 2010 po kështu edhe për vitin 2011, si dh për një sërë cështje të tjera ju ftoj që përmes website të Ministrisë së Financave www.minfin.gov.al të shihni detajet e programit për vitin 2011.