- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Komunikime
BODE: Demagogjia politike e opozites, nuk ka lidhje me ligjin
Nuk bëhet fjalë për pensionet e ish-ushtarakëve. Akti që ne sjellim përbën vetëm se një përmirësim ligjor dhe synon të sigurojë një drejtësi shoqërore, atë që kryetari juaj e quan me demagogji se po të bjeri poshtë akti normativ, atëherë do të vendoset dhe drejtësia shoqërore. E gjithë kjo është një mashtrim dhe pak më tej ju do ta dëgjoni se përse është i tillë. Ligji 10142 doli i domosdoshëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili urdhëronte ndryshime, me qëllim krijimin e balancave për trajtimin e barabartë të ish-ushtarakëve. Ligji riorganizoi skemën dhe parashikoi pensione të arsyeshme duke e zgjeruar më tej gamën e përfituesve.
Për fat të keq dëgjova një demagogji politike, e cila nuk ka të bëjë fare me ligjin. E gjithë kjo nuk përputhet fare as me të vërtetën e pensioneve të ushtarakëve dhe as me të vërtetën e pensioneve në tërësi. Nuk është fjala për pensionet e ish-ushtarakëve dhe as ish-policëve. Ata janë diku tek 30 mijë, por bëhet fjalë për 7400 ish-ushtarakë të dalë në pension në mënyrë të parakohshme.
Të gjithë ata të mjerë që ju i keni nxjerrë përpara Parlamentit nuk kanë të bëjnë fare me këtë akt normativ. Ju i keni mashtruar dhe i keni gënjyer! Ata të mjerë që ju i nxorët përpara Parlamentit, ju tetë vjet vetëm u keni premtuar dhe nuk u keni bërë asnjë gjë. Vetëm në maj të vitit 2005, në ditët kur ju po iknit miratuat këtu në Parlament një ligj. Duke filluar nga gjysma e vitit 2005 e deri më sot që jemi në vitin 2010, kjo kategori ish-ushtarakësh marrin sot ato pensione që janë votuar në 2005. I gjithë problemi ka lindur në një rast tjetër. Bëhet fjalë për përfitimet që dalin nga ligji për ish-ushtarakët, i cili është miratuar më datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror të ushtarakëve”. Pra nuk bëhet fjalë për pensionet e ish-ushtarakëve. Akti që ne sjellim përbën vetëm se një përmirësim ligjor dhe synon të sigurojë një drejtësi shoqërore, atë që kryetari juaj e quan me demagogji se po të bjeri poshtë akti normativ, atëherë do të vendoset dhe drejtësia shoqërore. E gjithë kjo është një mashtrim dhe pak më tej ju do ta dëgjoni se përse është i tillë. Ligji 10142 doli i domosdoshëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili urdhëronte ndryshime, me qëllim krijimin e balancave për trajtimin e barabartë të ish-ushtarakëve. Ligji riorganizoi skemën dhe parashikoi pensione të arsyeshme duke e zgjeruar më tej gamën e përfituesve. Ligji i vitit 2009 prekte interesat e vetëm 516 ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm, pra vetëm 516 ushtarakë nga 30 mijë që janë sot në pension. Dhe këeta 516, Gjykata Kushtetuese me vendimin numër 33 mori në shqyrtim dhe shfuqizoi njërën prej pikave për pensionet suplementare, duke ndërhyrë me heqjen e tavaneve të përfitimeve në raport me dhënien e përfitimeve pa limit. Nëse në zbatim të këtyre vendimeve duke filluar nga data 27.06 e në vazhdim do të duhej që të gjitha pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve që kanë mbushur vitet e shërbimit ushtarak, punonjës të policisë, të gardës, etj që të rillogariten.
Pas ligjit të prekur nga vendimi i gjykatës këta përfitues me të paktën 15 vite punë do të përfitojnë një pension të menjëhershëm sa 50% e pagës referuese. Dhe mbi këtë, do të përfitojnë një shtesë në vit për 15 vitet e shërbimit, ç’ka do të thotë dhe një shtesë tjetër prej 30%. Një pensionist i dalë në mënyrë të parakohshme nga këto kategori që përmendëm del në pension duke marrë 80% të pagës referuese, domethënë të pagës që ka sot ai që shërben në detyrë dhe që ndryshon sa herë që rriten pagat. Kjo do të thotë se me këtë rritje pagash, vit për vit do të ketë dhe një rritje të pensionit për 7400 persona të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe që mund të bëhen me mijëra e me mijëra shumë shpejt. Ndërkohë që punonjësi në detyrë merr më pak se 80% të pagës referuese, sepse 10% ai paguan tatim mbi të ardhurat personale dhe zotëria që po flasim nuk e paguan. Punonjësi në detyrë paguan 11% kontribute të sigurimeve shoqërore, të cilat zotëria nuk i paguan. Gjithashtu paguan dhe 2% siguracion mbi sigurimin suplementar që përsëri zotëria nuk i paguan. Një punonjës në detyrë merr më pak se një pensionist që del në mënyrë të parakohshme në pension me të paktën 5% më pak. Atëherë më thoni, se pse duhet të rrinë në detyrë dhe të punojnë, pasi kanë bërë 15 vjet punë, kur duke qëndruar në shtëpi, mund të marrin 5% më shumë nga paga ku ata punojnë. Por e gjithë kjo nuk krijon problem rrogash, sepse sa më shumë të rriten rrogat e tyre aq më shumë do të rriten edhe përfitimet e tyre, sepse pensioni i nxjerrë në mënyrë të parakohshme ndjek në mënyrë rigoroze pagën referuese, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Zotërinj, jemi në absurd, jemi në ngerç dhe këtë e kam për Shqipërinë, për Parlamentin, për ligjet e vendit tim. Sot mund të ndodhë që 17 mijë punonjësit e ushtrisë, që kanë bërë 15 vjet punë në ushtri dhe polici të kërkojnë që të dalin në pension që të gjithë, sepse marrin 5% pagë më shumë dhe nuk punojnë, qëndrojnë në shtëpi, apo mund dhe të bëjnë një punë të dytë.
Cilat janë efektet financiare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese? Kjo e fundit u dha të drejtën 7400 personave për këtë pension, por në fakt janë 11517 persona dhe kjo pjesa tjetër prej 4 mijë vetash ka të drejtën që të prezantohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë se pse 7400 perfituesve u dhe këtë lloj shpërblimi dhe ne 3800 të tjerëve nuk na i dhe? Pra menjëherë fatura vetë 11517 persona dhe po u them edhe një herë që fatura mund të vijë edhe 30 mijë persona që janë absolutisht të interesuar që të mos shkojnë dhe të punojnë më si oficer, por të rrinë në shtëpi dhe të marrin rreth 5% më shumë nga kolegu në detyrë.
Tani i gjithë argumentimi këtu është bërë, sepse këto janë të drejta social-ekonomike, me gjasë si të drejtat e përfituara, sepse shuma që marrin këta pensionistë të dalë në mënyrë të parakohshme dhe jo ata fatkeqët që nxorët përpara parlamentit, (pasi kanë tjetër histori) paguhet 100% nga buxheti i shtetit ose e thënë më saktë 96% e përfitimeve të pensioneve parakohshme janë pjesë e kontributit të buxhetit të shtetit. Po kështu edhe shtesa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 7400 persona është e barabartë me 1.2 miliardë lekë që mund të bëhet 2, që mund të bëhet 4, dhe që nuk është një pagesë e menjëhershme, por është një pagesë e përvitshme që përsiston në mënyrë progresive që sa herë të rriten pagat të rritet edhe pjesa shtesë e kontributit që jepet nga shteti për këto kategori.
Cila është masa e përfitimit, pasi u tha që ushtarakët marrin më pak?
Ushtarakët marrin më shumë se gjithë të tjerët dhe ne kemi rënë dakord për këtë përderisa bëmë ligjin për trajtimin e veçantë të tyre dhe po ju marr një shëmbull për ta marrë vesh ju: Një grua që ka punuar në arsim për 27 vjet, një mjeke që ka punuar për 27 vjet, apo një profesion tjetër që ka punuar në administratën publike për 27 vjet dhe që nuk ka arritur dot që të mbushë 35 vjet punë, dhe jo në mënyrë të parakohshme, kur del në pension sipas ligjit ka të drejtë që po sipas ligjit të fitojë rreth 80 mijë lekë të vjetra pension. Kaq mund të përfitojë kjo kategori me ligjin në fuqi të sigurimeve shoqërore.
Një ushtarak që ka punuar 15 vjet sipas këtij ligji që ka qenë deri më sot në fuqi, përfiton një pension të parakohshëm prej jo më pak se 21380 lekë në muaj dhe kjo është paga më e ulët. Pra nga 79000 lekë në 21380 lekë është afro tre herë më shumë se pensioni që ne përllogarisim sot dhe është krejt normale? Por nuk është absolutisht normale, kur them, sepse ai merr tre herë më shumë se sa një mjek. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtaraku që ka gradën më të ulët në ushtri dhe që ka punuar 27 vjet do të përfitojë një pension prej 35 mijë lekësh, domethënë rreth 8 herë më shumë se sa arsimtari apo mjeku.
Një burrë ish-ushtarak me gradën më të lartë dhe që ka punuar 18 vjet merr të paktën 72500 lekë, domethënë sa 10-fishi i kolegut të tij që ka shërbyer 27 vjet në një spital, adminstratë publike apo dhe shkollë. Një ish-ushtarak me gradën më të lartë që ka punuar 27 vjet merr 173000 lekë në muaj në një kohë që zonja mjeke, apo profesori i universitetit merr 79000 lekë, sepse ka punuar 27 vjet. Puna vazhdon akoma më tej, sepse ne për këta zotërinj që kanë dalë në pension të parakohshëm, paguajmë për t’i quajtur të siguruar. Ne paguajmë rreth 11.2% të pagës muaj për muaj. Pra kjo do të thotë se për çdo ish-ushtarak të liruar ne paguajmë 120.000 lekë në muaj sa ç’merr një deputet, apo një ministër dhe bëhet fjalë për të bërë 11517 deputetë dhe ministra për të paguar. A është kjo një e drejtë e fituar apo jo?!
Të drejtat social-ekonomike nuk janë të drejta të fituara, por janë të drejta që jepen nga buxheti i shtetit, sipas mundësisë që ka buxheti i shtetit dhe sipas financave të tij. Dhe kjo nuk mund të fshihet në të drejtën e përfituar dhe nuk mund të bëni demagogji për drejtësi sociale, kur po ju them zotëri, se vetëm shtesa që marrin pensionet suplementare është e barabartë me dyfishin e pensioneve të 180 pensionistëve fermerë. Ku e shikoni ju këtë drejtësi sociale, kur 11517 veta të marrin sa dyfishi i pensioneve të 180 mijë pensionistëve të fshatit?
11517 veta të marrin sa dyfishi për 180 mijë fshatarë që kanë punuar gjithë jetën? Ju doni të përgjysmoni pensionet e 180 mijë fshatarëve?
Pse nuk bini dakord dhe të thoni që të ruajmë këtë fond, por të dyfishojmë pensionet e fshatit?Hajde dhe t’i heqim fare këto përfitime ekstra, sepse vetëm skema e përfitimeve ekstra krijon kushte për të rritur 80% skemat e tjera të pensioneve. Për të drejtën e fituar, unë mund t’ju kujtoj dy raste për këtë vit: kancelarja gjermane ndërmori një reformë dhe preku të drejtat shoqërore nga buxheti gjerman që lidheshin me pagesat për papunësinë, me pagesat për integrim, për qiratë. Çfarë bëri kjo e fundit? Ajo uli përfitimet e individëve me 80 miliardë euro në funksion të konsolidimit të të ardhmes së shtetit gjerman, duke thënë në mënyrë publike se “në qendër të politikës sonë që shkurtoi 80 miliardë euro sociale qëndron njeriu. Qëllimi jonë është që të gjithë njerëzit të kenë shansin për mirëqenie dhe jo vetëm grupet e caktuara. Për këto arsye këto masa që parashtrojmë kanë prioritet, pasi përmirësojnë kushtet për ardhmërinë e njerëzve tanë”, thotë kancelarja.
Ju i kundërviheni përpjekjes së qeverisë për vendosjen e një drejtësie shoqërore. Nuk bëhet fjalë për të shkurtuar përfitimet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Hungari po gjatë vitit të kaluar. Dhe ç’bëri parlamenti hungarez? Nuk bëri këtë që po bëni ju, por u mblodh i gjithë parlamenti dhe kufizoi gjykatën kushtetuese në të drejtën e saj për të marrë vendime që kanë një faturë buxhetore dhe ligji jonë, kushtetuta jonë na e ka ofruar. Ajo thotë midis të tjerave se ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurave të parashikuara në buxhet. Vetë Kushtetuta normon propozimin e buxhetit, por askush nuk flet për një kompetencë të Gjykatës Kushtetuese për të urdhëruar se sa do të parashikohen në buxhetin e shtetit të drejtat social-ekonomike. NëKushtetutë thuhet se shteti brenda mjeteve që disponon dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private duhet të realizojë përmbushjen e objektivave sociale.
Përmbushja e objektivave sociale nuk mund që të shkojë drejtpërdrejtë në gjykatë, sepse për ndryshe do të kishim kauzë. Të drejtat sociale-ekonomike nuk janë të drejta të fituara, ato janë në përputhje me mundësitë dhe nevojën për të ndërmarrë politika dhe drejtësi shoqërore dhe për të moskrijuar diferencime të mëdha shoqërore. Lidhur me të gjitha këto që përmenda më sipër ne kemi ndërmarrë për të sjellë në normalitet dhe për të mos krijuar këtë disbalancë të madhe që krijohet në realitet me gjykatën kushtetuese këtë nismë ligjore që vjen përmes këtij akti normativ. Në këtë akt normativ sanksionohet: Së pari, parashikohet që llogaritja e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të bëhet mbi pagën mesatare referuese neto të momentit ku një përfitues përfiton pension, kjo në mënyrë që të mos dalë absurditeti që një i dalë në pension të marrë më shumë se ai që është në detyrë. Në këtë mënyrë, përfitimi nuk mund të jetë më i madh se paga neto.
Së dyti, një ushtarak duke qenë se mund të dalë në pension në moshën 47-vjeçare mund të arrijë një vjetërsi shërbimi prej 27 vjetësh, pasi edhe periudha e shkollës u njihet. Mbi bazën e kësaj vjetërsie në shërbim dhe duke marrë parasysh pensionet aktuale të personave që kanë një periudhë kontributive mbi 35 vjet në këtë akt parashikohet që për çdo vit të marrin 1.5% mbi pagën neto. Kështu një ushtarak që ka një pagë mbi nivelin mesatar arrin të marrë një pension të parakohshëm që është në nivelin mesatar dhe jo të marrë sa paga e një drejtori në ministri. Për ata persona që për shkak të pagës së ulët apo plotësimit të vjetërsisë deri në nivelin minimal nuk e arrijnë pensionin e parë, atëherë në këtë ligj është parashikuar që të mos ketë një pension të parakohshëm më të ulët se pensioni baza, pavarësisht llogaritjeve. Çdo njeri që do të marrë të drejtën e pensionit sipas këtij ligji do të ketë të drejtën e pensionit bazë si përfitim me qëllim të rritjes së përqindjes së pjesës që përballohet nga kontributi i buxhetit të shtetit. Projekti parashikon që kontributi suplementar të kalojë nga 2-5%. Numri i statuseve dhe i pensioneve suplementare sa vjen edhe rritet. Kjo kërkon që të sjellë në një balancë sa më të drejtë pjesën e kontributit që ua japim ne kësaj kategorie. Atëherë ai që ka pension suplementar duhet të bëjë dhe një pagesë suplementare më të qenësishme. Dhe ne kemi vendosur që kjo të jetë rreth 5%. Të gjitha këto kalojnë në limitin e pensionit maksimal dhe për këtë shkak nuk mund të mbulohen nga buxheti i shtetit me fonde vetëm për një vit, por mendohet se të gjithë ata që kanë këtë vlerë të pensionit maksimal të mund të kenë një skedulim në kohë që mund të zgjasë edhe një vit shlyerja e plotë e detyrimeve që burojnë nga ky ligj. Kështu pra për të gjitha këto shpjegime unë do t’u kërkoja që të lini menjanë demagogjinë dhe t’i kthehemi realitetit për ta votuar në mënyrë që t’i japim dhe një mesazh publikut të gjerë se ne jemi të përgjegjshëm dhe se nuk jemi thjesht politikanë që për një grusht votash mund të shkatërrojmë skemën e pensioneve, kontributeve 50 vjeçare që kanë mbajtur qytetarët për të ardhmen e tyre.