mof_logo_al_p2_copy_1

Fjala e ministrit të Financave në seminarin e organizuar nga Banka e Shqipërisë me Universitetin e Oksfordit me temë “Sfidat aktuale ekonomike dhe bashkëpunimi rajonal në Europën Juglindore”


                           Tiranë me 21/06/2011

Fjala e ministrit të Financave në seminarin e organizuar nga Banka e Shqipërisë me Universitetin e Oksfordit me temë “Sfidat aktuale ekonomike dhe bashkëpunimi rajonal në Europën Juglindore”

Së pari do të dëshiroja të falënderoja Bankën e Shqipërisë për organizimin e këtij seminari dhe të gjithë kontributorët e tjerë të seminarit, pasi mendoj që është shumë e rëndësishme që në këtë periudhë stad të zhvillimit të ekonomisë së vendit tonë dhe ekonomive të tjera të rajonit, hapja e debateve dhe diskutimi edhe në nivel akademik dhe sa më shumë qendrave studimore e shkencore përbën një kontribut ët çmuar.
Dhe bashkëpunimi në këtë kuadër me Universitetin e Oksfordit është tepër i rëndësishëm, jo vetëm se pse ky Universitet ka një kontribut në njohjen e ekonomisë shqiptare në arenën rajonale dhe atë ndërkombëtare, por mendojmë që një bashkëpunim i tillë do të luajë një rol afatgjatë për sa i takon tërheqjes në debate, përvijime dhe zgjidhe të mendimit akademik dhe të opsioneve të qendrave të ndryshime studimore, shkencore rajonale dhe më gjerë.
Zonja e zotërinj,
Ne ndodhemi në një fazë të rëndësishme të zhvillimit perspektiv të ekonomisë së vendeve tona por sikurse ndodhet e gjithë Europa dhe më gjerë, të ekonomisë globale në tërësi.
Ndodhemi në periudhën pas krize, madje disa ende mendojnë se kriza nuk ka shkuar përfundimisht. Mendohet se sfidat më të mëdha janë kapërcyer. Disa e menduan më të rëndësishëm stabilizimin financiar, në momentin e parë, atë që kishte të bënte me sistemin financiar dhe sigurisht ishte i kushtueshëm. Disa e menduan që më e vështirë është vala e dytë e kësaj krize që përfshiu në një rënie të kapaciteteve të ekonomisë globale, në pritje për të rimarrë. Disa të tjerë menduan se kriza në tablonë e saj të tretë, në atë të implikimit të buxheteve dhe financave publike të qeverive respektive pati dëmin më të madh. Në të vërtetë ne duhet të mendojmë të gjithë që pas krize, ndodhemi në një botë tjetër, në një botë të re ekonomike.
Shumë aktorë ekonomikë presin që të rikthehen kushtet e periudhës së para krizës, që ata të jetojnë edhe një herë në atë lumë likuiditeti,  që ata të kenë po aq të lehtë garën e konkurencës së brendshme dhe rajonale. Në vend që të presim që ato kohëra të kthehen, dhe unë shpresoj shumë pak që ato kohëra të rikthehen, duhet që të përveshim krahët për t’u përshtatur në këtë botë të re ekonomike, pas krize, ku çdo biznes dhe çdo vend kanë shumë për të reflektuar dhe për të bërë.
Vitet e fundit ne kemi përjetuar sfida të rëndësishme të zhvillimit, si në kuptimin ekonomik, ashtu dhe në aspektin shoqëror. Dhe jemi përpjekur të gjejmë zgjidhje ndaj këtyre sfidave, duke synuar gjithmonë që të marrim vendime dhe të përvijojmë politikat të studiuara me kujdes duke mundësuar një funksion proaktiv të institucioneve tona në raport me ekonominë. Ky orientim bëhet akoma edhe më i rëndësishëm nëse vihet në këndvështrimin e një përqasje rajonale, ndaj progresit ekonomik dhe të realizimit të objektivave strategjikë të integrimit europian të vendit dhe secilit prej vendeve tona. Rrjedhimisht, bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, sidomos në nivelin institucional, si në hartimin e strategjive ashtu edhe në ekzekutimin e koordinuar të politikave. Por kanalet më efikase dhe produktive të këtij bashkëpunimi, jo gjithnjë janë të lehta për t’u aksesuar në nivel ndërkombëtar. Prandaj dhe marrin një vlerë të veçantë, diskutimet dhe ballafaqimet e eksperiencave si ky i seminarit të sotëm.
Faza në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare dhe niveli rritjes ekonomike të  Europës Juglindore, e fokuson diskutimin në disa çështje themelore të zhvillimit. Në krye të listës qëndron fuqizimi i mëtejshëm i përpjekjeve institucionale për ta orientuar ekonominë drejt rritjes së konkurueshmërisë së eksporteve shqiptare dhe eksporteve të secilit vend. Aspirata e vendit tonë, për të përshpejtuar ritmin dhe zgjeruar fluksin e eksporteve, mund të realizohet vetëm me anë të një angazhimi të plotë dhe të gjithanshëm ndërsektorial në rritjen e konkurrencës së prodhimit të prodhuesve shqiptare, me synim rritjen e eksportit të tyre. Një synim i tillë mund të arrihet sigurisht nëpërmjet mbështetjes financiare që sektori publik dhe privat do t’i ofrojë propozimeve sipërmarrëse me vlerë të shtuar reale. Në kohën kur produktet e rajonit ballafaqohen me konkurencë të ashpër nga vende të tjera të ngjashme për nga oferta e eksporteve, Shqipëria dhe rajoni nevojitet të bashkëpunojnë dhe të bashkërendojnë përpjekjet e tyre për të minimizuar ekstremitetet negative të sistemeve tona ekonomike, që vihen re. Historia jonë politike si dhe evolucioni ekonomik i rajonit, na bën që të kemi disa karakteristika të përbashkëta me vendet e tjera fqinje, pavarësisht se ritmi i zhvillimit dhe progresit mund të jenë të shfazuara nga njëri vend në tjetrin, por e rëndësishme është që motorët e zhvillimit të jenë të orientuar në mënyrë unanime nga i njëjti horizont dhe konvergjimi ekonomik me vendet e zhvilluara europiane duhet të jetë qëllimi fundor i punës sonë për rritjen e konkurencës së ekonomisë.
Në sektorin industrisë së rëndë nevojitet krijimi i kapaciteteve shfrytëzuese, i burimeve që tashmë na i ka dhënë natyra. Nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve në shumë pjesë të vendit, dikton një sektor të rëndësishëm në mbështetje të rritjes së nivelit të konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Megjithatë ky sektor do të përfitonte maksimumin nga njohja me praktikat moderne të punës në vende të tjera të rajonit, nga investimet infrastrukturore për modernizimin e zinxhirit prodhues dhe atë të krijimit të vlerës, si dhe nga unifikimi i rrugëve të shkëmbimit tregtar në nivel rajonal ndërkufitar.
Sektori i turizmit është gjithashtu një sektor i rëndësishëm i rritjes ekonomike në Shqipëri, i cili do të përfitonte së tepërmi nga rakordimi rajonal për krijimin e një produkti turistik konkurrues në nivel më global.
Vendet e rajonit kanë ngjashmëri të pamohueshme gjeografike dhe nivel të përbashkët malor, detar dhe fushor. Rrjedhimisht produkti turistik tenton të shkojë drejt njehsimit të pashmangshëm duke bërë që tiparet konkurruese të ofertës turistike të njërit vend të mos dallojnë ndjeshëm nga oferta turistike e vendit tjetër. Në këtë situatë kaq të rëndësishme që bashkëpunimi rajonal ndërmjet operatorëve të fokusohet në novacionet tregtare për këtë sektor, në mënyrë që rajoni të shihet si një tërheqje turistike në vetvete dhe si i tërë.
Historia jonë ka qenë e përbashkët për shekuj me rradhë. Prejardhja e popujve të Ballkanit ka prerjet e veta dhe ngjashmëri të tilla janë shprehur kudo në gjurmët që ka lënë historia në rajonin e Europës Juglindore. Kështu që integrimi i këtyre gjurmëve do të bënte një inovacion të rëndësishëm ekonomik për sektorin e turizmit, duke mbështetur në të njëjtën kohë bashkëpunimin rajonal.  
Më pas, më duhet të rikonfirmoj rëndësinë ekonomike të sektorit të energjisë për vendin tonë, sidomos të energjisë së pastër. Shqipëria, ashtu sikurse i gjithë rajoni i Evropës Juglindore, përbën një nga zonat gjeografike më të përshtatshme për zhvillimin e burimeve të energjisë së pastër. Edhe në këtë sektor, bashkërendimi i përpjekjeve rajonale për krijimin e një oferte unike në nivel global do të ishte një sipërmarrje e rëndësishme.
Një tjetër çështje themelore për zhvillimin e vendit tonë dhe më gjerë është përqasja mbështetëse ndaj investimeve të huaja, çka lidhet ngushtë me rritjen e konkurrueshmërisë së vendit tonë dhe të rajonit në përgjithësi.
Kapacitetet ekonomike të vendeve të rajonit mbeten ende të nënshfrytëzuara dhe ekonomia në ekuilibër kërkon rendiment të lartë të balancimit të faktorëve të prodhimit – përfshi këtu edhe sistemin e kreditimit – me kërkesën e brendshme dhe të jashtme të vendeve. Investimet e huaja janë inkurajuar historikisht të marrim pjesë në përshpejtimin e shfrytëzimit të kapaciteteve ekonomike, demografike, dhe gjeografike të vendit tonë, si dhe të kapaciteteve tregtare të rajonit. Në këtë pikëpamje është e rëndësishme që institucionet përkatëse në nivel rajonal, kombëtar, dhe lokal, të ndërmarrin përpjekjet e duhura për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, shkëmbimin e informacionit, si dhe lëvizjen e lirë të faktorëve.
Në kuptimin e tregtisë ndër-rajonale mbetet jetike ulja e barrierave të ndryshme që pengojnë qarkullimin e lirë të faktorëve si dhe të mallrave apo shërbimeve. Tarifat doganore dhe barriera të tjera që rrisin kohën e arritjes së ekuilibrit në treg nevojiten të eliminohen tërësisht, veçanërisht në kuadër të një procesi një bashkëpunim rajonal dhe jo vetëm të një produkti final i integrimit europian. Sigurisht, deri në ditët e sotme është bërë progres i pamohueshëm në këtë drejtim, dhe kontributi për këtë ka qenë i gjithanshëm nga të gjitha vendet.
Sot ne arrijmë të konsumojmë nën një regjim import-eksportesh më të diversifikuar, si dhe mundemi të përfitojmë gjithmonë e më shumë nga menaxhimi i kostove duke kërkuar prodhuesit më të leverdishëm përtej kufijve sovranë, çka ne e ndjejmë direkt në një nivel më të qëndrueshëm të çmimeve në rajon. Megjithatë, që të vazhdojmë të progresojmë dhe në këtë drejtim, është e nevojshme të minimizohen akoma edhe më tej pengesat artificiale që rrisin në mënyrë të panevojshme kostot e prodhimit, kostot e transportit, kohën e lindjes së novacioneve, dhe efektshmërinë e përpjekjeve për t’u bërë më të konkurrueshëm.
Ne mund të mendojmë dhe të bëjmë realitet një hapësirë ekonomike rajonale pa barriera doganore e kuota tregtimi. Eksperiencat në botë janë të shumta. Le të zëvendësojmë garën e uljes jo të argumentuar shpesh të taksave për t’u bërë më tërheqës secili veç e veç për investitorët e huaj, apo për të krijuar avantazhe konkurruese të biznesve tona me fuqizimin e një tregu më të madh, më racional në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kapitaleve ekonomike e njerëzore.  Në të njëjtat linja vjen edhe çështja e radhës, po kaq e rëndësishme për të përcaktuar suksesin e fazës në të cilën ndodhet cikli zhvillimor i vendit tonë: njehsimi rajonal i politikave integruese dhe mbështetëse të rritjes ekonomike. Në ditët e sotme, dhe sidomos në sajë të globalizimit, burimi i avantazheve krahasuese dhe konkurruese nuk qëndron më në një vend të vetëm. Faktorë të tillë të ekonomisë së shkallës, kostoja e krahut të punës, dhe burimet e novacioneve bëhen të mundura tashmë nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, dhe që një proces i tillë të ndodhë lipset medoemos eliminimi i diskordancave institucionale nëpërmjet vendeve të rajonit. Sigurisht që zhvillimi i deritanishëm i ekonomisë shqiptare ka qenë i tillë që ka mbështetur gjithmonë krijimin e linjave të përbashkëta me vendet e tjera, por megjithatë, një proces i tillë duhet të çimentohet më tej, të sigurohet me sipërmarrje specifike dhe angazhim të drejtpërdrejtë ët institucioneve respektive të vendeve të rajonit.
Së fundmi, dhe sa më sipër dëshiroj të ritheksoj rëndësinë stabiliteti ekonomik dhe financiar si një rajon i tërë. Jo vetëm për shkak të ndërveprimit të faktorëve të jashtëm në ekonominë e një vendi, por nisur nga realiteti i ndërthurjes rajonale të investitorëve dhe kapitalit të tyre dhe jo vetëm të bankave. Interesi për bashkëpunim të politikave dhe instrumenteve fiskale e financiare vjen duke u theksuar. Sigurisht që kjo është e vështirë të mundësohet jashtë institucioneve të përbashkëta, por të gjirthë e ndjejmë që është i domosdoshëm një reflektim i tillë.
Në mbyllje të fjalës time sime dëshiroj të ritheksoj rëndësinë që ka njohja empirike e fenomeneve ekonomiko-sociale në rang rajonal. Procesi i shkëmbimit shkencor, dhe sidomos rritja e kapaciteteve në mbarëvajtjen e këtij procesi, është çështje e rëndësishme për të siguruar vazhdimësi të kthjellët drejt realizimit të qëllimeve tona strategjike dhe afatgjata.
Në këtë pikëpamje, unë jam i sigurt thellimi i mëtejshëm i kontributit të Universitetit të Oksfordit nëpërmjet partneritetit që ka me Bankën e Shqipërisë do të krijojë mundësi dhe raste të tjera që këto ide të mund të testohen si programe të zbatuara në praktikë.

TE GJITHA TE DREJTAT E REZERVUARA © 2010 MINISTRIA E FINANCAVE
Kjo faqe hostohet nga Agjensia Kombetare e Shoqerise se Informacionit logo_akshi_transparent www.akshi.gov.al