- Ministria
- |
- Legjislacioni
- |
- Raportime
- |
- EU Axhenda
- |
- Njoftime
- |
- Lidhje
- |
- Privatizime
Lidhur me deklaratën e sotme të kryetarit të Partisë Socialiste për prekjen e pensioneve të parakohshme të ish ushtarakëve, Ministria e Financave sqaron se :
Ligji që është çuar në parlament përmes aktit normativ, prek interesat e vetëm 7400 ish ushtarakëve nga 540 mijë pensionistë që aktualisht trajtohen me pagë pleqërie në Republikën e Shqipërisë, dhe synon të vendosë drejtësi sociale dhe trajtim të barabartë para ligjit për sa i takon trajtimit të shtetasve shqiptarë.
Pensionet suplementare, nuk janë një kontribut i paguar nga të punësuarit, por është një fond i alokuar nga Buxheti i shtetit për trajtimin preferencial të ish ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese vetëm 7400 persona, përfitonin një shumë prej 1.2 miliardë lekë në vit. Duke iu referuar këtij vendimi theksojmë gjithashtu se vetëm gjysma e fondit me të cilin sot shpërblehen 11 517 persona, të cilët trajtohen me pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi si ish ushtarakë, është sa dyfishi i fondit të pensioneve që sot u shpërndahet 180 mijë pensionistëve në fshat.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese një ish ushtarak që nuk ka plotësuar moshën për pension dhe ka vetëm 27 vjet punë përfiton një pagë mujore të barabartë me 107 300 lekë të reja në muaj. Kjo kur një nënë që ka punuar 27 vjet dhe nuk ka plotësuar vitet për pension, merr sipas ligjit vetëm 7960 lekë. Ndërkohë që qeveria ka kompensuar nga buxheti i shtetit diferencën, për të garantuar një pension prej 11 400 lekë për këtë kategori.
Përveç pagës prej 107 300 lekë të reja, buxheti i shtetit paguan për ish ushtarakët që trajton me pension të parakohshëm edhe 11.2% si kontribut për vjetërsi deri sa këta shtetas të plotësojnë vjetërsinë për të përfituar pensionin e pleqërisë, duke shtuar në këtë mënyrë një kosto për buxhetin edhe më të lartë se paga që raportojmë në këtë deklaratë.
Pra vendimi i qeverisë, ka synuar të krijojë një drejtësi në trajtimin e shtetasve para ligjit, sigurisht duke i njohur të drejtën e pensionit suplementar ish ushtarakëve që shkon sipas propozimit të qeverisë deri në trefishin e pensionit minimal të qytetit dhe katërfishin e pensionit mesatar në fshat.
Në këtë mënyrë zhurma që bën kryetari i PS-së për trajtimin e ish ushtarakëve me pension të posaçëm është thjesht demagogji politike. Partia e tij në 8 vite qeverisje nuk guxoi të merrte përsipër miratimin e një ligji të tillë, ndaj dhe e miratoi atë kur po largohej nga pushteti në muajin maj të viti 2005.
Edhe një herë qeveria garanton të gjithë ish ushtarakët që trajtohen me pension të parakohshëm, se do të respektojë frymën e ligjit për të mbështetur me prioritet disa kategori sociale.