|
Prezantimi i ndryshimeve ne ligjin nr. 10190. dt. 4.12.2009, “Për Buxhetin e Shtetit 2010”, mbajtur nga Ministri i Financave Ridvan Bode ne Konferencen e Kryetareve ne Kuvendin e Shqiperise.
Bode: Ndryshimet ne buxhet japin stabilitet ekonomik të vendit dhe zhvillimit të ekonomisë reale.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10190. dt. 4.12.2009, për Buxhetin e Shtetit 2010", vjen pas një reflektimi disa mujor nga ana e qeverisë, dhe, merr në konsideratë nevojën për moderim në politikat buxhetore, që kanë të bëjnë me vitin 2010.
Rishikimi konsiston në përmirësimin e zërave të miratuar të buxhetit, me idenë e shkurtimit të tyre.
Për një reflektim të tillë kanë ndikuar dy faktorë:
Së pari, janë ndikimet e ekonomisë globale, zhvillimet në ekonominë europiane. Presionet e krizës që ka përfshirë këto vende, sigurisht, janë prezente edhe në vende që nuk patën elementë të brendshëm për të patur një krizë, por që kanë ngadalësuar ritmet e prodhimit të brendshëm të tyre. Vendi ynë është ndër vendet e pakta në Europë, që, në vitin e kaluar, pati rritje pozitive ekonomike, madje rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë kontinentin europian. Por, kjo rritje, sic dihet, prej 3.3 % është mëse e përgjysmuar, në krahasim me ritmin normal apo me ritmin e viteve të fundit, së paku, të 2008-ës, ku patëm një rritje prej 8%. Mbi këtë bazë, një moderim i rritjes ekonomike e bën të domosdoshëm reflektimin e strukturës buxhetore, pasi objektivat e qeverisë lidhen edhe me nevojën për të mbajtur nën kontroll borxhin publik të vendit. Cka do të thotë për të mbajtur nën kontroll deficitin vjetor të buxhetit.
Së dyti, ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 reflektojnë edhe disa tendenca dhe politika të brendshme nga ana e qeverisë, të ndërmarra së fundmi ose të deklaruara në programin e saj politik, për të mbajtur disa prioritete të paprekura, pavarësisht nga situata e brendshme ekonomike apo ecuritë e treguesve buxhetorë.
Ku konsistojnë ndryshimet e buxhetit?
Para se të kaloj në detaje, mund t'ju them se edhe viti në vijim reflekton një tendencë pozitive të ekonomisë shqiptare. Është e vertetë që, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ritmet e ekonomisë shqiptare drejt rritjes, thuajse, u stopuan. Është e vërtetë, po ashtu, që, në tremujorin e parë të këtij viti, ka patur vështirësi në disa sektorë, në disa degë të ekonomisë. Por disa degë të tjera të ekonomisë kanë performuar në mënyrë shumë vitale.
Treguesit më pozitivë që do të përmend për zhvillimet e pesëmujorit të parë të këtij viti kanë të bëjnë:
Së pari, me një rritje të madhe të vëllimit të eksporteve, duke qenë 72% më të larta në krahasim me pesëmujorin e parë të vitit 2009, sipas deklarimeve të INSTAT-it.
Së dyti, importet, po ashtu, janë në rritje, me një rritje prej rreth 8%, karahasuar me një vit më parë, cka reflekton një zvogëlim të ndjeshëm të deficitit tregtar të vendit dhe një përmirësim të impaktit të tregtisë së jashtme në bilancin valutor të vendit.
Së treti, mund të përmend një tregues që vjen nga Banka e Shqipërisë dhe që ka të bëjë me investimet e huaja direkte në ekonomi. Kjo e dhënë konfirmon se në tremujorin e parë të vitit 2010 kemi një rritje prej 29 % të investimeve direkte në ekonominë shqiptare. Kjo rritje nuk vjen nga ndonjë privatizim apo element të lidhur me të, por janë investime të drejtpërdrejta të investitorëve të huaj, që janë prezent në ekonominë shqiptare përmes kontratave koncensionare apo, përmes nismës së tyre të drejtpërdrejtë si aktorë të rëndëishëm të ekonomisë sonë.
Edhe sektori financiar ka patur, po ashtu, një sinjal pozitiv, krahasuar me ato të vendeve të tjera.
Depozitat janë rritur rreth 12% në tremujorin e parë të këtij viti, llogaritje kjo, që bëhet mbi bazë vjetore. Pra, kemi një rritje dyshifrore të depozitave të kursimeve, që do të thotë se kursimet e brendshme kanë rritur potencialin për të financuar dhe për të mbështëtur rritjen e mëtejshme ekonomike, në përspektivë.
Edhe kredia për biznesin privat ka një rritje prej 6%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009. Edhe kjo ëhstë llogaritur mbi bazë vjetore.
Mbi këtë bazë, pra, mbi zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit të kaluar, mbi situatën e tremujorit të parë dhe tendencën progresive pozitive të muajve të fundit, me një rritje të të ardhurave të buxhetit të shtetit, që kanë një përmirësim të dukshëm nga një rënie që pësuan në dymujorin e parë të vitit 2010, krahasuar me dymujorin e parë të vitit 2009, një përmirësim në muajin Mars dhe kalimi në muajin Prill me një rritje prej 3.5% dhe një rritje në muajin Maj me 4.5 % të të ardhurave në buxhet, krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar, ndërkohë që Qershori konfirmon një rritje edhe më pozitive, duke shkuar në 6% në bazë gjashtëmujori, në krahasim me vitin e kaluar, qeveria mendon të korrigjojë, njëkohësisht, dhe të përputhë pritshmërinë për rritjen ekonomike për vitin 2010 në masën e agregatëve financiarë dhe burimeve të financimit të rritjes ekonomike të vendit nga 5.5% që e kishim programuar në buxhetin e vitit 2010 në 4.1%, aq sa na lejojnë agregatët dhe na lejojnë edhe agregatët e brendshëm të ekonomisë sonë për një rritje ekonomike për vitin 2010.
Bazuar pra, në të gjitha këto reflektime, qeveria ka bërë formulimet për ndryshimet në buxhetin e vitit 2010. Në fakt, qeveria i parapriu kësaj situate dhe nevojës për të kaluar në politika më të shtrenguara, për t'u përfshirë edhe ajo në një lëvizje për hostilitet buxhetor dhe financiar-fiskal në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe në vendet e tjera.
Që në muajin Janar 2010 qeveria ka deklaruar ngrirjen e një shume fondesh prej 30 miliardë lekë, e cila do të mbetej e tillë, për t'u disktuar dhe për t'u vendosur në muajin Korrik, atëherë kur ne do të bënim ndryshimin e buxhetit.
Përfundimisht, të ardhurat në buxhetin e shtetit propozohen që të ulen me 27.2 miliardë lekë. Kjo ulje e të ardhurave të buxhetit të shtetit reflekton, sic thashë, ritmet e brendshme të zhvillitmit të rritjes ekonomike të vendit, të cilat kanë qenë të programuara në mënyrë normale dhe optimiste në periudhat e mëparshme.
Nëse të ardhurat, në fillim të vitit ishin programuar, që në vitin 2010 të ishin 20% më të larta në krahasim me vitin 2009, ne tani, zbresim në një programim, i cili përputhet me tendencën disavjecare të ritmit të të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe me mundësinë për përmirësimin e administrimit te tyre.
Në buxhetin që propozojmë, ne programojmë një rritje të të ardhurave prej 11.4% më shumë, në krahasim me buxhetin faktit të vitit 2009. Dhe kjo përbën një rritje më të lartë se mesatarja 10 vjecare. Kanë qenë vetëm 2 vite, kur të ardhurat janë rritur më shumë sesa programimi i vitit 2010. Ky ka qenë viti 2006, kur të ardhurat kanë qenë 12.4 % dhe viti 2008, kur të ardhurat kanë qenë 15.8%. Të gjitha vitet e tjera, duke nisur nga viti 2000-2009, kanë një ritëm rritjeje, dukshëm, më të ulët sesa programohet për t'u rritur në vitin 2010.
Pra, kemi të bëjmë me një programim realist, por, që bazohet, gjithashtu, mbi një rritje ekonomike realiste dhe mbi mundësitë tona të brendshme për të shkuar dhe për të materializuar këtë nivel të të ardhurave në buxhet. Pra, në fund të vitit, të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë 334 miliardë lekë.
Ulja e të ardhurave në sektorin e tatimeve dhe doganave është me 16 miliardë lekë dhe në sektorin e pushtetit lokal janë me 5.5 miliardë lekë. Ndërkohë, kontributet e sigurimeve shoqërore ulen me 7.8 miliardë lekë dhe rriten të ardhurat jotatimore me 4 miliardë leke.
Sic thashë, ky trend nuk reflekton ndonjë dobësim mbi rendimentin e të vjelave në buxhetin e shtetit nga tatimet dhe taksat. Ne vijojmë të mbetemi në një parashikim, ku të ardhurat në buxhet do të jenë sa 27.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 26.2% që ishte në vitin 2009 dhe duke mbetur mbi nivelin e 26%, i cili ka qenë niveli që kemi kapur, që në vitin 2006 dhe ne vijim. Pra, mendohet një rritje me 1 pikë përqindjeje mbi PBB gjatë vitit 2010, krahasuar me vitin 2009. Pra, kemi një rritje të rendimentit fiskal, administrimit më të mirë të tatimeve dhe taksave dhe politikave të tjera, që ka marrë qeveria gjatë kësaj periudhe. Kemi një trend realist, nje trend normal, te pritshëm të realizimit të të ardhurave.. Nuk kemi një rënie, kemi një rritje të moderuar të nivelit të tyre, ndryshe nga sa ndodh në ekonomitë e vendeve të tjera, dhe kjo reflekton pritshëmrinë tonë për një rritje pozitive ekonomike të Prodhimit te Brendhsëm Bruto të vendit.
Nga ana tjetër, operimet më të mëdha janë bërë me shpenzimet.
Shpenzimet e buxhetit të shtetit ulen me 39 miliardë lekë. Ulja e shpenzimeve nuk prek disa nga prioritetet e deklaruara të qeverisë.
Së pari, kjo ulje e shpenzimeve konfirmon atë që ne kemi deklaruar se niveli i shpenzimeve publike ne buxhetin shqiptar nuk duhet të jetë më i madh se 30%, 1/3 e PBB. Ky ka qenë objektivi ynë për ta materializuar dhe që do të përsistojë në kohë. Nëse do t'i referohemi trendit historik, duke nisur nga viti 2003-2007, niveli i shpenzimeve te realizuara ka qenë nën 30%, në raport me PBB. Nga viti 2008-2009 ky nivel është rritur dukshëm. Në vitin 2008 ai shkoi në 32.8%, dhe 33.1%. në vitin 2009. Në këto dy vite, një influencë pozitive në rritjen e vëllimit të shpenzimeve publike kanë dhënë të ardhurat nga privatizimi dhe në vitin 2008 një përformancë e tejkaluar e të ardhurave tatimore dhe doganore, për shkak edhe të një situate ekonomike më të favorshme, më të mirën historike, që ka patur ndonjehërë Shqipëria. Këto na krijuan kushtet për të rritur, për të intensifikuar ritmet e investimeve publike dhe duke bërë, respektivsht, në këto dy vite, që vellimi i investimeve publike, të jetë sa 1/3 e të gjithë buxhetit, pra të jetë mbi 9% e PBB. Kjo përbën nivelin më të lartë historik të investimeve publike, të kryera ndonjëherë në Shqipëri.
Tani, pas përdorimit të stimujve të fuqishëm fiskalë gjatë vitit 2009, bllokimit te krizës në ekonominë e vendit, pompimit të investimeve publike të rritura, përdorimit masiv të të ardhurave të akumuluara nga privatizimet, mendojmë t'i rikthehemi hostilitetit buxhetor, duke zbritur në atë që ne kemi shpallur si objektiv të qeverisë shqiptare, qeverisjen e vogel, ku shpenzimet publike nuk mund të jenë më shumë se 1/3 e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku shpenzimet publike, gjithnjë e më shumë, duhet t'i lënë vendin sektorit privat dhe duke ruajtur ato aktivitete të domosdoshme, që duhet të ndërmarrë qeveria.
Rritja e pjesës përmes rritjes së taksave për të mbajtur një nivel më të lartë të shpenzimeve, unë do të thoja që do të dëmtontë rëndë ekonominë tonë, sepse do të pakësonte mundësinë e investimeve private në ekonomi, që, ndërkaq, vijojnë të mbetën shumë poziitive.
Në periudhën e tremujorit të parë, investimet direkte, të huaja dhe të brendshme, kanë shënuar një rritje prej rreth 13%. Mendoj që, politika që ne kemi shpallur dhe respektimi i saj, pikërisht në këtë moment, të një rishikimi drastik të shkurtimeve buxhetore, përben një realizim të objektivit prioritar të qeverisë për një qeverisje të vogel dhe të kontrolluar të aktivitetit të saj, në raport me sektorin privat.
Nuk preken pagat. Përkundrazi! Niveli i tyre rritet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo vjen për shkak se ne bëmë një rritje pagash edhe në këtë vit të shkurtimeve të shpenzimeve, një rritje që shkon në nivel vjetor rreth 60 miliardë lekë, pra, rreth 60 milionë USD.
Dhe po ashtu, nuk preken pensionet, të cilat, edhe në këtë vit buxhetor patën një rritje. Pjesa e pensioneve në strukturën e buxhetit të shtetit, ka ardhur në rritje këtë vit, sikurse, edhe të gjitha shoenzimet sociale kanë ardhur duke u rritur nga 6.7% në vitin 2005, ato arrijnë në 8.9 të PBB në buxhetin e rishikuar.
Ato që pësojnë një ulje të ndjeshme janë shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, ku pjesën e uljes dhe të shkurtimit e kanë patur shpenzimet qeveritare, shpenzimet administrative, të cilat janë shkurtuar me 22%. Kjo politikë e shkurtimit të shpenzimeve administrative ka prekur, pa përjashtim, të gjitha insitucionet. Me disa reforma të ndërmarra nga qeveria, që kanë të bëjnë me transportin, por edhe me disa reforma të tjera, që janë duke u thelluar dhe, që kanë të bëjnë me shpenzimet e tjera adminsitrative, ne zbresim në minimumin historik të shpenzimeve administrative, në 2.5% të Prodhimit të Brendhsem Bruto, në total, dhe shpenzimet qeveritare, duke i zbritur në 0.8% të PBB nga 1.5%, që kanë qenë në vitin 2005.
Investimet publike, po ashtu, pësojnë një ulje. Vëllimi i shpenzimeve kapitale, që zvogëlohen, është rreth 19 miliardë leke nga 86 miliardë lekë të programuara në fillim të vitit. Ajo që ka ndodhur me investimet publike është bllokimi i tenderimeve të reja, pra, hapja e veprave të reja. Por do të intensifikohet financimi i veprave ekzistuese. Në këtë buxhet, me gjithë shkurtimin e shpenzimeve që këmi bërë, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për objektet në proces i janë shtuar edhe 4.3 miliardë lekë, në krahasim me parashikimin fillestar dhe me ngrirjen që ne kemi bërë në fillim të vitit.
Këto operacione cojnë në një ulje të mëtejshmë të deficitit buxhetor, duke zbritur programin e vitit 2010 nga 4% të programuar në fillim të vitit në 3.1% të PPB. Pra, është niveli më i ulët historik, jo vetëm i programuar, por edhe i realizuar ndonjëherë, me përjashtim të dy viteve, 2006 dhe 2007, kur niveli i deficitit vjetor ka qenë 3.4%-3.5% të PBB. Të gjitha vitet e tjera kanë një deficit që kalon mbi 4.5% dhe ka patur vite edhe me deficit më të rritur historikisht.
Të gjitha këto janë të paraqitura në një relacion sqarues dhe mendoj se debati i mëtejshëm në komisione dhe në Parlament do të pasqyrojë të gjitha këto aspekte të ndryshimeve buxhetore.
Përmes këtyre ndryshimeve ne respektojmë objektivin e shpallur, që, edhe në këtë vit, kur rritja ekonomike është e moderuar, niveli i borxhit publik të mos kalojë nivelin, që kishim në fund të vitit të kaluar, pra, të jetë sa 59% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Këto masa janë masa që i shërbejnë krijimit të një mjedisi më të përshtatshëm dhe nxitës për ekonominë shqiptare, për ekonominë reale në Shqipëri, dhe, që nuk dëmtojnë, nuk prekin funksionimin normal të veprimtarisë publike të qeverisë dhe të institucioneve të tjera të ngritura me ligj, dhe, që funksionojnë për shërbimin e qytetarëve.
Mendoj se buxheti përbën një reflektim dhe përgjegjshmëri ndaj institucioneve të vendit, në raport me gjithcka po ndodh sot në ekonominë globale dhe gjithcka po ndodh në vendet e tjera periferike dhe më tej, ku gjatë vitit 2010 jane përfshirë më shkurtime absolute, edhe me nivelin e pagave dhe pensioneve, si të vetmet zëra që kanë mbetur te mundshme për t'u shkurtuar, pasi niveli i investimeve publike, nuk bëhet fjalë për këto vende. Ato tashmë janë zbritur në nivelin zero dhe po vazhdohet me shkurtimin e shpenzimeve të tjera operative dhe shpenzimeve të pagave dhe pensioneve.
Ky skenar i paraqitur nga qeveria është një skenar tërësisht i mundshëm dhe i realizueshëm. Situata ekonomike dhe financiare e vendit mendoj se është pozitive. Është shumë më pozitive nga c'po ndodh në të gjitha vendet e tjera, shumë më positive, permes këtyre shkurtimeve, nga sa ne e kishim programuar, në programin tonë normal. Vendi nuk është i borxhuar në tregjet financiare, ku shërbehet me instrumenta tregtarë. Vendi vijon të mbetet i borxhuar vetëm në tregun e brendshëm përmes bonove të thesarit dhe kredive të zhvillimit, të cilat do të intensifikohen edhe në perspektive.
Me këtë përmirësim të buxhetit, ne mendojmë se do të kontraktojmë burime financiare të jashtme, për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë shqiptare, jo përmes instrumentave tregtarë, por përmes instrumentave zhvillimorë. Jemi duke e bërë këtë me një sërë bankash zhvillimi, të cilat janë të gatshme për të mbështetur cdo program dhe cdo vepër, që qeveria do t'u paraqesë atyre, sic ka ndodhur në periudhën e fundit.
Prandaj, ju siguroj se përmirësimi i këtij buxheti është një kontribut i cmuar, që i jepet stabilitetit ekonomik të vendit dhe zvillimit të ekonomisë reale.
Ju faleminderit!
|