|
Fjala e Ministrit te Financave, Ridvan Bode ne seancen e djeshme parlamentare, per ndryshimet ne Buxhetin e Shtetit
Bode: Jemi ne drejtimin e duhur, të hedhim vështrimin drejt së ardhmes

Të nderuar deputetë!
Sic pritej, dhe, sic ishte njoftuar, në përfundim të përiudhës gjashtëmujore, qeveria rishikoi buxhetin e vitit 2010 dhe vjen sot perpara Kuvendit te Shqipërisë për të propozuar një skenar të ri, i cili korrigjon elementë dhe aspekte te financave publike te shtetit, per t’i perputhur ato me nevojën e nje reagimi pozitiv përballë një presioni të zgjatur të krizës financiare dhe të krizës ekonomike globale dhe, përballë nevojës për të mbajtur ekonominë shqiptare në ritmet më të larta të mundshme të rritjes dhe zhvillimit.
Nevoja për këto ndryshime, arsyet që e nxitën qeverinë dhe synimet, që kerkon të realizojë ajo, kondicionohen nga një sërë zhvillimesh në tregjet globale, në tregjet e ekonomise rajonale, të cilat detyrojnë ndërmarrjen e një sërë masash emergjente dhe ne drejtimin e duhur.
Kriza që po perjeton sot bota prej një periudhe mëse dy vjecare, e filluar si një krizë financiare, si një krizë e sistemit financiar dhe bankar, u shndërrua shpejt në një krizë ekonomike, që ezauroi kapacitetet e mëdha dhe të larta të zhvillimit të ekonomisë globale, sidomos të vendeve më të zhvilluara.
Vitin e kaluar, ekonomia e zonës së euros pati një renie prej rreth 5% dhe do të duhet kohë për të arritur nivelin e prodhimit të parakrizës në këtë hapësirë kaq të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin edhe te ekonomive të tjera periferike dhe të ekonomive në tranzicion. Këto ekonomi sot përjetojnë një sërë pasojash, që lidhen me mungesën e stabilitetetit të monedhës së hapësirës europiane, me nje rritje te nivelit të papunësisë, me ritmet më të larta të 30 viteve të fundit, me rënie të eksporteve dhe një pamundësi për të dalë shpejt nga situata e krizës ekonomike globale.
Kriza ekonomike, e filluar nga tregu financiar, u transpozua shpejt, në të gjitha vendet, si një krizë e sistemeve financiare, e sistemeve buxhetore, e financave publike. Kjo për arsyen e thjeshtë se, të gjithë insolvencën e sistemit financiar dhe atij bankar, qeveritë e transpozuan si një borxh të tyren, duke emetuar bonot publike për të kapitalizuar dhe për të bërë likuide sistemin bankar dhe atë financiar.
Kjo bëri që, vitin e kaluar, në 20 vendet më të zhvilluara të botës borxhi publik, nga 80% e Prodhimit te Brendshëm Bruto, që zinte në periudhën para krizës, të shkonte në mbi 100%. Duke pasur këtë drejtim, një sërë ekonomish të vendeve më të zhvilluara, përjetojnë sot një problem të madh të likuiditetit, cka ka bere, që, sot, sistemi financiar dhe tregjet e parase të jenë tashmë të ezauruara, me mungesë likuiditeti, me shtrenjtim të kostos së shërbimit të borxheve, me rritjen e normave të interesit dhe pasiguri të tjera.
Kriza ekonomike globale nuk kurseu as vendet në tranzicion, as vendet kandidate apo as ato të sapo anëtarësuara në Bashkimin Europian, që mbeten ende jashtë zonës së euros. Kriza ekonomike globale nuk kurseu as ekonominë e rajonit tonë. Vitin e kaluar një sërë ekonomish të rajonit përjetuan një rënie ekonomike dhe, duhet thënë, që të gjitha vendet e rajonit kaluan në situatë krize.
v Ekonomia e Kroacisë, gjatë vitit 2009, pati një rënie prej 5.8% në GDP dhe në tremujorin e parë të vitit 2010 ka një rënie prej rreth 1.6% të Prodhimit të Brendshem Bruto.
v Ekonomia e Maqedonisë pati një rënie prej 0.7% në vitin 2009 dhe në 3 mujorin e parë të vitit 2010 një rënie prej rreth 0.9%.
v Ekonomia e Bosnjë-Hercegovinës pati një rënie prej rreth 3.2 % gjatë vitit 2009.
v Ekonomia e Malit te Zi pati një rënie prej 5.3% në vitin 2009 dhe 4% rënie në tremujorin e parë të vitit 2010.
v Ekonomia e Serbisë pati një rënie prej 3% në vitin 2009 dhe një rritje të lehtë prej 0.6% për tremujorin e parë 2010.
v Ekonomia e Bullgarisë pati një rënie prej 5% në vitin 2009 dhe, po ashtu, pati një rënie 3.6% në tremujorin e parë të 2010.
Të gjitha këto vende përjetuan rritjen e deficitit dhe borxhit të tyre publik. Dhe, meqënëse një pjesë e tyre shërbejnë deficitet dhe borxhet e tyre publike në tregjet financiare globale, vështirësitë dhe kostoja e shërbimit të tyre kanë ardhur në rritje. Zhvlerësimi i monedhës vendase në vendet e rajonit ishte i lartë, papunësia në rritje, eksportet dhe importet në renie, po ashtu, të ardhurat në buxhet ishin më pak krahasuar me periudhën para krizës.
Ekonomia shqiptare nuk u perfshi në këtë vorbull të krizës, por, përmes politikave nxitëse, përdorimit të stimujve fiskalë nga ana e qeverisë. ekonomia performoi pozitivisht në të dy vitet, 2008 dhe 2009, duke përbërë kështu, jo vetëm një rast pozitiv në rajon, por, njëkohësisht, duke krijuar një mundësi për politikëbërjen në Shqipëri, një mundësi për qeverinë shqiptare, që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një rritje ekonomike pozitive në të ardhmen, për të përshpejtuar këtë rritje ekonomike pozitive dhe për të mos lejuar financat e vendit të shkojne në nje situatë të vështirë.
Sipas FMN, sikurse është thkesuar edhe në raportin e Artikullit 4, publikuar së fundmi, “autoritetet shqiptare kanë qenë të suksesshme në përballimin e një mjedisi të jashtëm mjaft të veshtirë gjatë dy viteve të fundit. Aftësia e tyre për ta bërë këtë pasyqron ecurinë e mirë të politikave të shëndosha të mëparshme, të cilat ndërtuan amortizatorë tepër të rëndësishëm”- thuhet në këtë deklaratë. “Si rezultat, Shqipëria ishte nga ato pak vende që shmangën rënien ekonomike në vitin 2008 dhe 2009. Për më tepër, të dhënat e fundit tregojne se ka një ecuri ekonomike me të fortë në tremujorin e parë, sesa ne kishim vlerësuar më parë”-thotë FMN.
Në këtë kuadër, në vitin 2009, pas një periudhe stresi të fortë ekonomik në tremujorin e fundit të vitit 2009, si dhe në muajt e parë të vitit 2010, ekonomia shqiptare pati një rritje prej 3.3% dhe tremujori i pare i këtij viti konfirmon, po ashtu, një rritje prej 2.2%,
Nisur nga këto zhvillime në tregjet financiare globale dhe në ekonomitë e vendeve të euros dhe periferike me ne, nisur nga zhvillimet në tregjet e brendshme, në tregjet monetare dhe ato të ekonomisë reale, qeveria vjen për të propozuar një model buxhetimi, i cili bazohet në një rritje ekonomike prej rreth 4.1% për vitin 2010, e cila rezulton nga kombinimi më optimist, më pozitiv i të gjithë agregatëve të brendshëm monetarë dhe ekonomikë, financiarë dhe njerezorë, të cilët do të mundësonin përshpejtimin në muajt në vijim të ritmeve të rritjes së ekonomisë së vendit dhe kapjen e ritmeve më të larta rreth fundit të këtij viti, të krahasueshme me mesataren e viteve të mëparshme. Por, përgjysmimi për një periudhë 2-3 vjecare i ritmeve të zhvillimit të ekonomisë shqiptare e bën të domosdoshme që qeveria, Kuvendi i Shqiperisë, të mund të formulojnë një program politikash, i cili të marrë në konsiderate këto zhvillime dhe të garantojë, mbi këtë bazë, mundësinë e një mbështetjeje më të madhe për ekonominë reale për zhvillimin perspektiv të saj.
Zhvillimet në ekonominë globale dhe në rajon kanë detyruar qeveritë e vendeve për të ndermarrë një program intensiv të hostelitetit financiar, i cili synon vënien nën kontroll të deficiteve vjetore dhe bllokimin e politikave të ashtuquajtura aktive përmes financave publike për të kërkuar rritjen e ekonomive të vendeve të tyre. Përdorimi për një kohë të gjatë i stimujve fiskale të ardhur prej buxhetit, rezulton të jetë i pasuksesshëm, që zgjat më tej agonine dhe bllokon rialokimin e kapitaleve financiare dhe njerëzore në strukturën e re ekonomike pas periudhës së krizës, pas asaj që ndodhi këto dy vitet e fundit.
Pra, në këtë kuadër, një sërë qeverish, tashmë, ndodhen në një program intensive të politikave për reduktimin e deficiteve, reduktimin e borxhit dhe vënien në kontroll të shpenzimeve gjithnjë në rritje, që vijne për shërbimin e borxheve publike. Një program i tillë politikash është deklaruar, edhe në menyrë të organizuar, nga Komisioni Europian për vendet anëtare, dhe, po ashtu, për vendet kandidate apo aspirante. Edhe në rajonin tonë, një sërë vendesh, përtej programimeve konservative në fillim të vitit, kanë nisur të rishikojnë buxhetet e tyre dhe të kërkojnë një ulje të mëtejshme të deficiteve, në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet që kanë për të shërbyer deficitin dhe borxhin e tyre.
v Kroacia, deficitin e ka programuar ne 3.3% të PBB, por ka deklaruar një ulje të mëtejshme të tij në shtator të këtij viti.
v Maqedonia rishikoi në qershor buxhetin e saj, duke ulur deficitin nga 4 % e PBB në 2.5 % të PBB.
v Mali i Zi ka ulur investimet publike me 54% dhe, kështu me rradhë, ekonomitë e rajonit po vijojnë të performojnë në përputhje me ritmet e përhapjes së krizës ekonomike globale.
Në këtë kuadër të programeve të austeritetit (kur qeveria shkurton shpenzimet e saj), sikurse ishte njoftuar dhe sikurse ishte kërukar në mënyrë publike edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, qeveria shqiptare prezanton ndryshimet e buxhetit tx vitit 2010.
Gjithashtu, nevoja për të rishikuar buxhetin në mesin e vitit, tashmë është bërë permanente. Është në praktikën tonë të qeverisjes, që, në përfundim të gjashtëmujorit të parë, një pjesë e burimeve financiare që disponon buxheti i shtetit, të mund të rialokohet për t’u adresuar në sektorë apo projekte, të cilët progresojnë më shpejt dhe, që kanë një impakt më të shpejtë në mbështetjen e ekonomisë reale.
Në këtë kuadër, edhe ky rishikim buxhet, synon rialokimin e një pjese të burimeve për investime publike drejt veprave në vijim, për të mënjanuar cdo vonesë në pagesën e faturave të biznesit dhe për të mundësuar një përdorim të shpejtë dhe eficent të fondeve publike.
Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, financat publike në Shqipëri rezultojnë të jenë në një trend pozitiv. Përtej disa zhvillimeve që lidhen me vështirësitë e ekonomisë në muajt e parë të këtij viti, ekonomia, gjithnjë e më shumë, po gjen trendin e saj të rritjes, duke iu përshtatur konjukturave të reja të ekonomisë globale dhe burimeve financiare të vendit.
Disa lajme pozitive vijnë nga ekomomia shqiptare në përfundim të gjashtëmujorit të parë.
ü Së pari, unë do të përmendja rritjen e eksporteve shqiptare, që, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti është rreth 72% me i lartë, ndërkohë që ekonomitë fqinje me ne performojnë nga Kroacia me rritje 2.5%, tek Mali i Zi me 21% rënie, dhe deri tek Maqedonia me rritje pozitive të vëllimit të eksportit në 20.4%. Pra, tregjet e ekonomive periferike mbeten të papërcaktuar dhe të ekspozuar nga konjuktura e re rajonale dhe globale.
ü Së dyti, ajo që është pozitive për ekonominë shqiptare, po ashtu, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, është fakti që importet janë rritur me 8%. Ndërkohë, që të gjitha ekonomitë e rajonit tonë janë me një rënie të vëllimit të importeve. Kjo shkon nga –4% Serbia, deri në –12% Mali i Zi dhe –10 % Kroacia.
ü Rritja e vëllimit të importeve dëshmon për një mbajtje aktive të kërkesës së konsumatorëve në tregun e brendshëm dhe, njëkohesisht, për një rimarrje të shpejtë të ritmeve tregtare të Shqipërisë, në raport me rajonin dhe ekonominë globale.
ü Së treti, investimet direkte në ekonominë shqiptare, po ashtu, përbëjnë një lajm pozitiv për zhvillimet në gjashtëmujorin e parë. Ato rezultojnë të jenë në 7.2 % më të larta sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërkohë që investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të këtij viti ishin 29% më të larta, në krahasim me një vit më parë.
ü Së katërti, depozitat e kursimit, njëri prej burimeve të financimit të rritjes ekonomike të vendit, kanë një trend pozitiv. Në përfundim të tremujorit të parë, sipas statistikave, kemi një rritje prej 12% të nivelit të depozitave dhe ritmi po përshpejtohet gjatë tremujorit të dytë. Jam i bindur se do të ketë një ritëm shumë më të lartë nga ai i tremujorit të parë, sipas të dhënave operative nga Banka e Shqiprise,
ü Së pesti, lidhur ngushtë me këtë vëllim në rritje të depozitave, edhe kreditimi i ekonomisë reale, ka performuar pozitivisht, ndryshe nga sa ka ndodhur në ekonomitë rajonale. Rreth 6% më shumë ishin kreditë e reja të dhëna për ekonominë reale në përfundim të tremujorit të parë dhe janë përshpejtuar, tashmë janë dyshifrore, kreditë për tremujorin e dytë, trend pozitiv ky, që jep shpresë për rimarrjen e shpejtë të ekonomisë shqiptare.
ü Së gjashti, të ardhurat në buxhet performojnë me një trend pozitiv. Janë rreth 4% më të larta nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe, ndërkohë, shpenzimet publike janë 4% më të ulëta nga gjashtëmujori i parë i vitit të kalaur.
Të gjitha këto zhvillime e bëjnë qeverinë shqiptare që t’i rikthehet nevojave për të garantuar burimet e rritjes. Përmes propozimeve që vijnë në buxhet, qeveria dëshmon, edhe një herë, rolin e saj aktiv për të qenë në mbështetje të burimeve të rritjes dhe të zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se zhvillimet në tregjet rajonale e globale kanë pakësuar mundësinë e financimit të rritjes ekonomike të ekonomisë globale dhe, po ashtu, të ekonomive të secilit prej vendeve të rajonit. Në këtë kuadër, është e domossdoshme që secili prej vendeve, edhe vendi ynë, të mund të racionalizojë përdorimin e burimeve të rritjes, duke i lënë që ato të përdoren nga aktorët më eficentë, që, padyshim, është biznesi privat, është inisiativa private, është nisma private, Duke mundësuar krijimin e hapësirave më pozitive për të krijuar kapacitete të reja apo për të mbajtur lart burimet financiare të rritjes. Gjithnjë e më shumë, qeveria do të terhiqet në pozicionin e saj të deklaruar publikisht si një qeverisje e vogël dhe në dietë, qeverisje e taksve të ulëta, për t’i lënë biznesit privat dhe investitorëve privatë përdorimin eficent të burimeve financiare, që krijon ekonomia e vendit, si dhe të përbëjnë në mënyrë aktive të të gjitha burimeve të mundshme financiare nga tregjet globale dhe nga partnerët që financojnë zhvillimin e vendeve si i yni.
Ne do të vijojmë të mbështetemi në politikën e taksave të ulëta dhe buxheti që parqëesim nuk ka asnjë propozim të ri shtesë për të rritur taksat. Ndërkohë, në ekonomitë e vendeve të rajonit, për të balancuar zhvillimet në tregjet financiare të brendshme dhe globale, ato kanë propozuar rritje të reja të taksave. Kroacia, TVSH-në nga 22.5% e ka propozuar dhe ka nisur implementimin për të shkuar në rreth 25% nivelin e taksimit të TVSH-së.
Ne, do të vazhdojmë të mbështësim përmes këtyre ndryshimeve politikën e rritjes së konsumit, kërkesën konsumatore për të mbajtur aktive dhe pozitive kërkesën në tregun e brendshëm. Do të vazhdojmë të mbështesim politikën e rritjes së punësimit të qytetarëve, si një nga burimet më kryesore të financimit dhe të rritjes së ekonomisë së vendit, si dhe për të rritur eksportet dhe për të mbajtur një nivel të lartë të investimeve publike dhe investimeve direkte në ekonominë shqiptare.
Nisur nga ky program që ne propozojmë në ndryshimet e buxhetit 2010, FMN u shpreh se “është për t’u vlerësuar se rishikimi në mes të vitit i buxhetit është duke shkuar në drejtimin e duhur, duke ulur deficitin fiskal dhe borxhin publil, si dhe është për t’u vlerësuar fakti, që autoritetet vazhdojnë të ndjekin me rigorozitet stabilitetin makroekonomik dhe financiar ne programin e tyre”.
Cfare propozon qeveria në ndryshimet e buxhetin të viti 2010, që ju keni sot përpara dhe do të diskutoni në parim?
ü Të ardhurat në buxhet programohen 333 miliardë e 658 milionë lekë . Kjo do të thotë rreth 27 miliardë lekë më pak nga programi fillestar. Por, nga ana tjetër, do të jenë 11.4% më të larta se në vitin 2009, duke qenë viti i tretë në 10 vitet e fundit me ritjen më të madhe të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
ü Nga pikëpamja e rentabilitetit dhe rendimentit financiar, të ardhurat do të jenë në nivelin më të lartë historik. Ato programohen sa 27.2 % e PBB ose 1 pike % më shumë se fakti i vitit 2009.
ü Të ardhurat e realizuara në përfundim të gjashtëmujorit janë 3.3 % më shumë sesa gjashtëmujori i vitit të kaluar. Për të arritur në parametrat e objektivave tanë, do të thotë se nga korriku e mbrapa, në cdo muaj, të ardhurat duhet të rriten së paku me 1 pike %, në krahasim me faktin e vitit të kaluar mbi bazë vjetore.
ü Të ardhurat nga tatimet dhe doganat do të jenë 230 miliardë lekë ose 6.5 % më të ulëta sesa fillimi i vitit. Ato do të shkojnë sa 24.4% e PBB, duke kapur nivelin më të lartë historik. Do të jenë 10.5% më të larta sesa viti 2009.
ü Si katërmujor ato janë 4.4% më të larta. Respektimi i TVSH-së, që mat vëllimin e qarkullimit të mallrave dhe që shërben si masë për matjen e rritjes së ekonomisë së vendit, ato jane 3.3 % më të larta, ndërkohë, që akcizat janë 23 % më të larta, duke kapur nivelin më të lartë, në raport me PBB.
ü Doganat në gjashtëmujor realizuan 100% të objektivit të vendosur në fillim të vitit, duke qenë 15% më të larta në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, duke garantuar kështu një ecuri tërësisht pozitive edhe në muajt që vijnë.
Sigurisht, që administrata tatimore, që reflekton zhvillimet pozitive në disa degë të ekonomisë, të cilat përballen me nevojën e ristrukturimit dhe të rialokimit të kapitaleve dhe të madhësisë së tyre, me kërkesën dhe me konjukturën e ekonomisë globale, dëshmojnë një dobësi të përkohshme, e cila, shumë shpejt do të dalë në terma pozitivë dhe do të mbështesë ritmin e ekonomisë së vendit, dhe, njëkohësisht, ritmin e e të ardhurave buxhetore.
ü Tatimi i Vlerës së Shtuar programohet të shkojë sa 10% e PBB, duke qenë në nivelin më të lartë. Viti 2008, që ka patur nivelin më të lartë e ka patur 9.8%, ndërkohë që në vitin 2004 ka qenë 7.7%. Kjo është taksa, e cila, ndër vite, nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe që, madhësia e saj, njëkohësisht, dëshmon përpjekjet për një administrim më të mirë, për fuqizimin e konkurencës në treg, për eliminimin e evazionit fiskal dhe kontrabandës. Pra, është taksa e administrimit më të mirë të sistemit të taksave në vend.
ü Akciza do të shkojë sa 3.2% e PBB ose nga 3%, që ka qenë në vitin 2008, si viti më i mirë, osë nga 2.1% në vitin 2004.
ü Taksa doganore, për shkak të zgjerimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe shtrirjes në të gjithë produktet, do të zbresë në 0.6%, nga 0.8% në vitin 2008 osë nga 1.8% e PBB në vitin 2004.
ü Të ardhurat e pushtetit lokal do të jenë 15.5 miliardë lekë. Ato pësojnë një ulje, uljen më të madhe, prej 26% më pak nga programi osë 5.5 miliardë lekë. Kjo reflekton performancën negative në adminsitrimin e taksave lokale nga pushteti vendor, i cili, si gjashtëmujor nuk ishte më shumë se 58% e programit vjetor dhe ende vijon të jetë nën nivelin faktik të vitit 2008. Në këtë kuadër, për të mos shkaktuar risqe financiare në buxhetet lokale, ne propozojmë uljen e nivelit të të ardhurave nga buxheti vendor dhe ulje të shpenzimeve të tyre, në përputhje me këtë performancë të pushtetit vendor në fushen e mbledhjes së taksave.
ü Të ardhurat jotatimore shtohen me 3.8 miliardë lekë dhe reflektojnë gjendjen pozitive të ecurisë së gjashtëmujorit të parë, të cilat janë realizuar në masën 99% të programit.
Sikurse e permenda, politika e taksave do të jetë ajo që ka qenë. Nuk do të kemi rritje të taksave të drejperdrejta dhe as të taksave të tërthorta. Disa taksa simbolike, por në kuadër të përafrimit të tyre në krahasim me vendet e rajonit, do të vijojnë të axhustohen dhe këto do të jenë kryesisht akcizat dhe jo taksat e tjera.
ü Shpenzimet publike programohen të shkojnë sa 372 miliardë lekë apo do të jenë 39 miliardë më të ulëta sesa programi i fillim vitit ose 9.5% më të ulëta nga programi që ne kemi miratuar në fundin e vitit të kaluar.
ü Vëllimi i këtyre shpenzimeve programohet të shkojë sa 30.3% e PBB, duke mbetur niveli më i lartë pas vitit 2008 dhe 2009, në 10 vjecarin e fundit. Dhe kjo si nevojë e mbajtjes së një kërkese positive, sic e thashë, në kuadrin edhe të presioneve të krizës ekonomike globale dhe në përputhje me kapacitetin tonë për të financuar pa kosto dhe në mënyrë jodëmtuese shpenzimet publike.
ü Gjashtëmujori i këtij viti dëshmoi një realizim sa 97% e programit ose 4.4% më pak nga gjashtëmujori i vitit 2009.
ü Shpenzimet për pagat do të mbeten afërsisht sa ishin programuar, pasi qeveria, sikurse dihet, mundësoi rritjen e pagave në fund të periudhës gjashtëmujore, duke shtuar mbi bazë vjetore rreth 6 miliardë lekë më shumë osë rreth 60 milionë usd në dispozicion të rritjes së pagave, të cilat do të rriten nga niveli i inflacionit, 2%-12%, sipas sektorëve dhe sipas prioriteteve të shpallura nga qeveria.
ü Kjo masë përben jo vetëm mbajtjen e një programi politik elektoral, por, njëkohësisht mbajtjen gjallë të njërit prej burimeve të rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë shqiptare, pikërisht, atë të kërkesës konsumatore dhe të depozitave të kursimit të popullatës.
Shtimi mbi bazë vjetore vetëm në nivelin e pagave buxhetore rreth 6 miliardë lekë, do të jetë një perceptim pozitiv dhe një reagim pozitiv edhe në sektorin privat për të mundësuar rritjen e pagave edhe të ketij sektori dhe për të performuar, së bashku, pozitivisht, në nevojën për mbështetjen e kërkesës konsumatore dhe nivelit të lartë të depozitave, i cili në vitet e fundit e bën Shqipërinë të renditet krahas 10 vendeve të zhvilluara të botës me 25% të GDP, si një vëllim të depozitave të kurisimit në bazë vjetore.
ü Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes do të pësojnë uljen më të madhe. Do të jenë rreth 17.5% më të ulëta nga programi fillestar. Ato reflektojnë tërësinë e masave dhe reformave të ndërmarra nga qeveria për uljen e shpenzimeve qeveritare dhe mbajtjen në të njëjtin nivel të shpenzimeve operative, që lidhen me ilacet dhe me bazën materiale të shkollave.
ü Niveli i shpenzimeve qeveritare përgysmohet përmes kësaj mase. në rapirt me PBB, nga 1.5% në vitin 2005 në 0.7% në buxhetin që ne prezantojmë aktualisht para jush për miratim.
ü Mbahen në nivele të njëjta me ato të programuara shpenzimet për buxhetet sociale, duke arritur përmes këtij buxheti nivelin 8.9% të PBB nga 6.7% e PBB në vitin 2004. Rritja me një ritëm të lartë e nivelit të pensioneve, si dhe përmirësimi i skemave të mbeshtetjes për sigurimet shëndetësore e ka bërë të nevojshme rritjen me më shumë se 2% në raport me PBB ose në vlerë totale mbi 2.4 herë më shumë fonde buxhetore, të hedhura në harkun e 4 viteve për mbështetjen e programeve sociale. Kjo reflekton një prioritet të qeverisë për të qene një qeveri me ndjesi shoqërore, një qeveri me zemër të dhimbsur, reflketon atw qw, marrja në mbrojtje e shtresave më të ekspozuara në periudha krize, përbën një nevojë për mbështetjen e ritmeve të nesërme të ekonomisë së vendit.
ü Të njëtën gjë do të thosha edhe për forndet e tjera, të shpërndara nga buxheti i shtetit për pagesa papunësie, për ndihma ekonomike dhe kompensime të tjera, të cilat mbeten, pak a shumë, në nivelin e programuar, me një ulje të paqenësishme prej 4%.
ü Ajo qw pëson një axhustim thelbësor janë investimet publike, të cilat ulen me 22.4% nga programi fillestar ose rreth 19 miliardë lekë më pak, duke shtyrw fillimin e objekteve të reja në disa sektorë të shërbimeve dhe të investimeve publike për vitin në vijim dhe në vazhdimësi.
ü Megjithë këto ulje, që duket se është e qenësishme, përsëri investinet publike në Shqipëri mbeten mbi 5 % e PBB, cka do të thotë se janë, jo vetëm niveli më i lartë në të gjithë rajonin tonë, por edhe niveli me i madh nga investimet publike në vitet 2002-2003-2004, në raport me PBB të secilit prej viteve.
Zonja dhe zotërinj!
Të gjitha këto ndryshime kanë synuar uljen e deficitit vjetor dhe, njëkohësisht, normalizimin e borxhit publik të vendit.
ü Deficiti vjetor programohet të ulet nga 4% në 3.1% të PBB, duke arritur kështu nivelin më të ulët historik të deficiteve të realizuara dhe të programuara ndonjëherë në Shqipëri.
Ne mendojmë se ky është drejtimi i duhur, drejtimi nga duhet të levizim dhe duhet të hedhim vështrimin drejt së ardhmes, pasi, niveli i borxhit publik, po ashtu, ka nevojë të mbahet nën kontroll dhe në nivele të pranueshme, brenda objektivave të deklaruara afatmesme dhe afatgjata për vendin.
Përmes këtij operacioni, ne, përsëri, mbajmë borxhin publik nën nivelin 59.5% e PBB. Sigurisht, borxhi publik i Shqipërisë është disi më i lartë sesa i vendeve të rajonit, por është borxhi më i mirë publik, që ka ndonjë vend tjetër. Pse?
ü Së pari, sepse kostoja që shërben borxhin publik është më e ulëta në të gjithë rajonin tonë, në 3% e PBB. Më pak se 10% e shpenzimeve të buxhetit janë kostoja e shërbimit të borxhit publik, ndërkohe, që të gjthë vendet periferike, nuk po përmend Greqine me 8%, por vendet e tjera, që e kanë borxhin public nga 4% e lart, edhe pse nivelin e borxhit e kane më të ulët se Shqiperia.
ü Së dyti, kjo ndodh, sepse borxhi ynë publik nuk shërbehet me instrumenta tregtarë në tregjet financiarë globalë. Borxhi ynë publik është një borxh, i cili në 2/3 e tij eshtë një borxh i brendshëm, është borxh në leke, i cili administrohet në mënyrën më të mirë, në parametrat më pozitivë, për një kohë shumë të gjatë.
ü Së treti, borxhi ynë publik i huaj, nuk është borxh tregtar, pasi ne 80% të tij shërbehet nga bankat e zhvillimit, nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë financuar dhe do të financojnë në të ardhmen investimet publike të shqiptarëve, në parametrat më të mirë, me një normë interesi shumë të ulët, të butë dhe me një afat shërbimi, që kalon mesatarisht të 15 vitet. Duke qenë kështu, dhe, duke parë zhvillimet në tregjet globale, qeveria ka programuar, dhe, tashmë, ka në fazë përfundimtare, nënshkrimin dhe përfundimin e të gjitha marrëvshjeve, me të cilat do të bëjë të mundur, që, në periudhën 2011-2013, të financojë në investimet publike të buxhetit dhe tx ndërmarrjeve publike të vendit rreth 3 miliard euro. Ato do të akodrohen nga bankat e zhvillimit me norma të ulëta interesi dhe me afat të gjatë shërbimi. Kjo do të bëjë të mundur që kërkesa e buxhetit të shtetit në perspektivë për të financuar deficitet vjetore, do të jetë gjithnjë e më e ulët dhe fondet e brendshme, fondet tregtare të mund të përdoren tërësisht nga biznesi privat për të financuar rritjen e larte ekonomike, që presim të rikthehet shumë shpejt.
Në këtë kuadër, unë do të ftoja të gjithë deputetët për të mbështetur zhvillimet më të fundit, që vijnë prej këtij buxheti, për të votuar këtë buxhet, si masen, si hapin dhe drejtimin e duhur, sikurse konkludon edhe FMN-ja, sic sugjeron edhe Komisioni Europian ne raportin e tij te fundit, në përfundim të gjashtëmujorit të parë. Duke ju ftuar edhe një herë të votoni buxhetin, ftoj, njekohesisht, që përmes një debati konstruktiv, të mund të identifikojmë hapësira të reja për të mbështetur zhvillimin në perspektivë të ekonomisë shqiptare.
|